Kryeparlamentari Talat Xhaferi për nesër e paralajmëroi seancën e parë të pyetjeve të deputetëve të kësaj përbërjeje parlamentare, ndërsa kjo do të jetë e fundit për këtë vit. Seanca do të zhvillohet sipas procedurës së zakonshme, ndërsa pyetjet do të parashtrohen në proporcion 2:1 në favor të opozitës, pra çdo e treta pyetje mund të parashtrohet nga deputetët e partive në pushtet.
Kryeparlamentari Xhaferi theksoi se gjatë këtij viti çështjet më të rëndësishme të Kuvendit janë realizuar, pavarësisht kushteve specifike të shkaktuara nga pandemia Kovid 19, ndërsa paralajmëroi përmirësim të punës sa i takon qasjes së gazetarëve në punën e Kuvendit, që ishte një prej sfidave të këtij viti, e që ishte shkaktuar nga koronavirusi.
Sa i takon çështjes së ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, Xhaferi tha se nuk e ka për qëllim këto ndryshime t’i bëjë me forcë dhe se nuk planifikon të trajtojë 3000 amendamentet e dorëzuara nga opozita. Theksoi se pavarësisht vështirësive pas infektimit të disa deputetëve me koronavirus, opozita është treguar korrekte dhe kanë arritur të menaxhojë mirë situatën në aspektin kohorë.
“Opozita ka mundësuar të ketë kuorum, numri më i madh i deputetëve nuk kanë qenë të përfshirë nga pandemia, ka pasur diciplinë të përgjithshme. Kjo është fatmirësia e gjithë kësaj situate. Nuk ka pasur bllokim të kuvendit nga situata me pandeminë. Të gjithë që deri tani ishin të sëmurë e tejkaluan situatën pa pasoja, përveç një i punësuar në sektorin e përkthimit, i cili ndërroi jetë”- tha Talat Xhaferi.
Sa i takon ligjit për shtetësi, Xhaferi theksoi se si deputet gjithmonë I ka dhënë mbështetje, nënvizoi se nuk ka dilema për mbështetjen e këtij projektiligji. Kuvendi do të vazhdojë me punë nga 11 janari, në këtë ditë deputetët rikthehen në punë për të përfunduar seancat e papërfunduara gjatë këtij viti.









