Lajm i mirë për shqiptarët, nënshkruhet marrëveshja për kufirin Maqedoni-Kosovë

Maqedonia dhe Kosova nënshkruan sot në Prishtinë protokollin për krijimin e pikës kufitare në Stançiq, që do ta lidhë Anamoravën me Maqedoninë.

Zëvendës-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, e vlerësoi këtë marrëveshje si diçka historike. “E nënshkruam protokollin. Shpresojmë në një afat shumë të shkurtër do ta finalizojmë këtë projekt”, tha Nuhiu. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme pasi mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Sot është një ditë e veçantë, sidomos për zonën e Anamoravës pasi është nënshkruar një marrëveshje që paraqet një hap drejt lëvizjes së lirë e sidomos për ata që jetojnë në këto zona. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj sa i përket hapjes së pikës kufitare”, tha Demaj, për gazetarët, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Me nënshkrimin e Protokollit me palën kosovare sot në Prishtinë, Qeveria e Maqedonisë përmbyll pjesën e detyrimeve të saj duke i mundësuar palës kosovare edhe kontraktimin e menjëhershëm të kompanisë për ndërtimin e objektit të përbashkët në pikën kufitare Bellanoc-Stançiq./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu