Kryetarja e forumit të gruas nga Aleanca për Shqiptarët Arta Toçi, në urimin e saj lidhur me festën e 7 Marsit ka bërë një shkrim në profilin e saj në Facebook. Toçi ka shkruar për vlerat e arsimit dhe njëkohësisht mbulesën e femrave shqiptare e ka barazuar me analfabetizmin, shkruan InfoShqip.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Arta Toçit në profilin e saj në Facebook:
“Dashuri e përkulje për mësuesit të cilët me sjelljen dhe entuziazmin në punë krijuan modelin që duhej ndjekur. Nderim për gjuhën që arritën ta bëjnë standard komunikimi, për shqiptimin e secilës shkronjë shqipe me respekt ndaj rrënjëve. Shumë respekt për misionin e tyre për zhdukjen e analfabetizmit dhe heqjen e mbulesës mes femrave shqiptare”, përfundon Toçi në postimin e saj.
Postimi i saj ka nxitur reagime dhe kritika të shumta në rrjetet sociale, ku persona të ndryshëm përfshirë gazetarë dhe politikanë kanë reaguar në lidhje me këtë postim, shkruan InfoShqip.com
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetarja e Forumit të gruas të BDI-së, Mukadese Hajdari e cila thekson faktin se është rritur nga një nënë me shami dhe se femrat me shami i shërbejnë shoqërisë në mënyrën më te dobishme.
Postimi i plotë i Mukadese Hajdarit:
“Unë jam bijë e rritur dhe e edukuar nga një nënë me shami, e cila ka dhënë maksimumin për të më ofruar edukatë dhe arsim të mirëfilltë. Në rrethin tim ka shumë gra, vajza, mike, shoqe të cilat gjithashtu janë rritur nga nënat me shami, e të cilat edhe vet kanë zgjedhur të mbajnë shami, por që i shërbejnë shoqërisë e kombit në mënyrën më dobiprurëse sepse janë të arsimuara, profesioniste të vërteta, shkencëtare të cilat veprojnë me shumë përkushtim, pa urrejtje, pa paragjykime dhe frustracione. Prandaj porosis zonjën e cila ka etiketuar shaminë si formë të analfabetizmit të shoqërisë shqiptare të ketë kujdes kur shprehet për shkak se Shamia është përzgjedhje demokratike e gjithsecilës nga ata që e mbajnë dhe është simbol i bujarisë, përkushtimit ndaj Zotit dhe mirësisë! #respektpergratëmeshami”, ka shkruar Hajdari. /InfoShqip.com











