Para pak çastesh ka nisur edhe konferenca e shumëpritur e Lionel Messit në Camp Nou. Kjo është dalja e tij e parë publike që pas lajmit se ai dhe Barcelona kanë shkëputur rrugëtimin e tyre 21-vjeçar së bashku. Mes lotësh Messi tha se do të donte që lamtumirën e fundit ta kishte mes njerëzve dhe brohoritjeve të tyre.
“Në këto ditë të fundit jam menduar shumë se çfarë të them dhe e vërteta është se nuk mund të them asgjë, shumë e vështirë është kjo për mua pas shumë vitesh që jam këtu. Nuk jam gati për këtë. Po e lë skuadrën dhe qytetin pas 21 vitesh, me një grua dhe 3 fëmijë të vegjel katalano-argjentinas. I kam premtuar fëmijëve të mij që do jenë këtu me zemër. Falenderoj të gjithë, shokët e ekipit dhe të gjithë tifozët. Klubi ka qenë si shtëpi për mua. Në këtë klub kam kaluar shumë gjëra të bukur, të këqijat më kanë bërë të rritem dhe ja ku jemi sot. Gjithçka dua të them është se kam dhënë çdo gjë për këtë fanellë, për këto ngjyra.
Kam dhënë gjithçka për këtë klub dhe për këtë fanellë që nga dita e parë që mbërrij në të fundit. Po iki më shumë se i kënaqur. Do të më pëlqente të them lamtumirë në këtë mënyrë, nuk e kam menduar kurrë, por do të më pëlqente ta bëja me njerëzit, në terren. Kam marrë dashurinë e njerëzve dhe s’ka gjë më të mirë se kjo. E paimagjinueshme të thoja lamtumirë në këto rrethana.
Të luaja pa publik gjatë pandemisë ka qenë e vështirë. E lë klubin pa parë fansat për një vit e gjysmë, pa njerëz. Dua të them mirupafshim me gjithë dashurinë që më keni dhënë, jam i përulur. E konsideroj dashurinë që klubi dhe ju më keni dhënë, duke i’ua kthyer në fushë gjatë viteve.
Kam harruar shumë gjëra se çfarë dua të them, por jam mes emocionesh. Dua t’iu them faleminderit të gjithëve”– tha Messi.









