Lavrov pas takimit me Turkoviç: Popujt në BeH janë në gjendje të vendosin në mënyrë të pavarur

Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, deklaroi sot në Sarajevë se është i domosdoshëm një dialog në kornizat bilaterale dhe rajonale. “Jemi dakorduar se është i nevojshëm një dialog i ndërsjellë dhe ne do të sigurojmë ndihmë dhe mbështetje për një proces të tillë në kornizat rajonale“, tha Lavrov, duke rikujtuar se ai kishte biseduar me ministren e Jashtme të BeH-së Bisera Turkoviç rreth situatës dhe marrëdhënieve në Ballkan.

Ai shtoi se si Rusia ashtu dhe BeH janë shtete multietnike dhe multi-konfesionale. Ai tha se gjatë bisedimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BeH-së dhe Presidencën e BeH-së, përcolli mbështetjen e tij për parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe barazisë së dy entiteteve dhe tre popujve konstituivë në BeH.

Popujt e BeH-së janë në gjendje të marrin vendime të pavarura në BeH. OHR (Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë e Hercegovinë) duhet të ishte mbyllur shumë kohë më parë“, tha Lavrov, duke dënuar iniciativat për rishikimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Ai gjithashtu tha se kishte rënë dakord me Turkoviç për të përmirësuar tregtinë e ngadalësuar për shkak të koronavirusit.

Ne mendojmë se është e nevojshme dhe e duhur të punohet më shumë brenda komisioneve për tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik“, tha Lavrov dhe shprehu kënaqësinë me punën e kompanive ruse në BeH. Pas takimit midis Lavrov dhe Turkoviç, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Planit të Konsultimeve midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse për periudhën 2021/2022.

Anëtarët e Presidencës së BeH Zheljko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç refuzuan të takohen me Lavrov këtë mëngjes, duke thënë se ata do të mbrojnë dinjitetin e Bosnjë dhe Herzegovinës, pasi që nuk kishte asnjë flamur të BeH-së në takimin e Ministrit të Jashtëm rus në Sarajevën Lindore mbrëmë me kryesuesin Milorad Dodik. Ata thanë se me veprimet dhe deklaratat e tij, diplomati rus tregoi mosrespektim për vendin pritës dhe institucionet e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu