Lavrov: Rusia dhe Koreja e Veriut synojnë “rend të ri botëror”

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i tha homologes së tij koreano-veriore, Choe Son Hui, se Rusia dhe Koreja e Veriut po punojnë për krijimin e një “rendi të ri dhe të drejtë botëror”, ndërsa dy vendet po thellojnë bashkëpunimin e tyre.

Sipas agjencisë shtetërore koreano-verioreKCNA, Lavrov rikonfirmoi angazhimin e Moskës për të zgjeruar bashkëpunimin me Phenianin në të gjitha fushat dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut janë forcuar ndjeshëm që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Në fund të vitit 2024, Koreja e Veriut dërgoi rreth 14 mijë trupa në Rusi për të ndihmuar forcat ruse në zmbrapsjen e inkursionit ukrainas në rajonin e Kurskut.

Lavrov e cilësoi pjesëmarrjen e ushtarëve koreano-veriorë në luftimet në Kursk si dëshmi të “miqësisë luftarake” mes dy vendeve.

Ndërkohë, Koreja e Jugut dhe vendet perëndimore dyshojnë se Pheniani po merr nga Moska ndihmë për zhvillimin e armëve, në këmbim të mbështetjes ushtarake për Rusinë.

Koreja e Veriut dyshohet gjithashtu se i ka furnizuar Rusinë me miliona predha artilerie, raketa balistike dhe sisteme raketash me shumë lëshime për përdorim në luftën kundër Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar ndërkohë se deri në 50 mijë ushtarë koreano-veriorë mund të dërgohen në Rusi në një dislokim të ri, duke rritur presionin ushtarak ndaj Ukrainës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu