Lavrovi nga Armenia: Do t’i hakmerremi BE-së

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, tha të enjten se Rusia do të hakmerret kundër sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian, ndonëse vlerëson se kufizimet ndaj qytetarëve dhe grupeve ruse paraqesin rrugë për askund.

Duke folur në një konferencë për gazetarë pas takimit në Armeni me homologun e tij armen, Ara Ayvazyan, kryediplomati rus tha se Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione kundër Rusisë “pa ndonjë bazë të arsyeshme”.

“Ne nuk do të lëmë pa përgjigje sulme të tilla ndaj Rusisë, ndaj anëtarëve të udhëheqësisë ruse, ndaj kuvendarëve të Federatës Ruse dhe ndaj kompanive tona, faji i vetëm i të cilëve në sytë e BE-së është regjistrimi i tyre në një shtet që BE-ja ka vendosur që ta shpallë agresor ilegalisht dhe për asnjë arsye”, deklaroi Lavrovi.

Duke e komentuar vendimin e fundit të Rusisë për të vendosur në listën e zezë tetë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, ministri rus tha: “Ne i shpallëm persona non grata ata njerëz në strukturat e BE-së dhe në një numër të shteteve të BE-së për shkak të faktit se ata morën pjesë vendimtare në valën tjetër të sanksioneve kundër zyrtarëve tanë, përfshirë kuvendarët.”

Ai shtoi se shkëmbimi i sanksioneve filloi nga një “puç anti-kushtetues”, i cili ndodhi pavarësisht garancive të dhëna për udhëheqësinë ukrainase nga shtetet evropiane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu