Lëvizja BESA ka kërkuar që deri të premtën të procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”. Ata thonë se nëse PPS nuk i proceduron këto dy lëndë deri të premtën, kur i skadon afati për ngritjen e akuzave ndaj personave për lëndë që dalin nga telefonat e përgjuara, atëherë nga kjo lëvizje do të konsiderojnë se PPS ka punuar me agjendë politike, njofton InfoShqip.
“Lëvizja BESA edhe sot përsëri i drejtohet publikisht Prokurorisë Speciale Publike që deri të premten t’i procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”. Pavarësisht vendimit të Këshillit të Prokurorëve për rastin “Sopoti”, ne gjykojmë se PSP-ja ka materiale të mjaftueshme që ta iniciojë vetë atë lëndë dhe të mos lejojë që drejtësia e politizuar e dyshes VMRO-BDI të tallet ende me jetën e të përvuajturve të Sopotit dhe të Monstrës.”-thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Siç thuhet në kumtesë, mekanizmat për zbardhjen e të vërtetës së këtyre dy rasteve janë në duart e Prokurorisë Speciale Publike dhe të kësaj qeverie. Nga Lëvizja Besa përkujtojnë se ky ishte edhe premtimi i Zoran Zaevit për votuesit shqiptarë, i cili deklaronte se ekzistojnë dëshmi se shqiptarët e këtyre rasteve gjykohen pa të drejtë dhe janë viktimë e proceseve të montuara politike. Nga kjo lëvizje kërkojnë që sa më shpejtë të bëhet ndriçimi i plotë i këtyre rasteve, në të kundërtën, siç qëndron në kumtesë, “nëse këto raste nuk procedohen, ne do t’i japim të drejtë vetes të konstatojmë se edhe PSP-ja vepron me diktat politik dhe shërben si lavatriçe që i pastron ministrat e korruptuar të BDI-së.”/InfoShqip.com










