Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka reaguar për herë të parë pas sulmeve ajrore amerikane ndaj centraleve bërthamore iraniane, duke i quajtur veprimet e Uashingtonit “krim të madh” që do të pasohet me ndëshkim.
Në një mesazh të publikuar në platformën “X”, Khamenei shkruan: “Armiku zionist kreu një gabim të madh, kreu një krim të madh; duhet të ndëshkohet dhe po ndëshkohet tani.”
Paralajmërimet nga Teherani janë thelluar edhe më tej nga ana e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përmes një videomesazhi të zëdhënësit të saj, Ebrahim Zolfaghar, i cili drejtoi fjalë të drejtpërdrejta ndaj SHBA-ve dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Zolfaghar paralajmëroi se sulmet amerikane do të kenë pasoja serioze, duke theksuar se objektivat e forcave të armatosura iraniane do të zgjerohen dhe se konflikti mund të përhapet në mbarë rajonin.
“KY VEPRIM ARMIQËSOR DO TË ZGJEROJË GAMËN E OBJEKTIVAVE LEGJITIME PËR FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS ISLAMIKE TË IRANIT DHE DO TË HAPË RRUGËN PËR ZGJERIMIN E LUFTËS NË RAJON. MILITANTËT E ISLAMIT DO T’JU IMPONOJNË PASOJA TË RËNDA TË PAPARASHIKUARA ME OPERACIONE TË FORTA DHE TË SYNUARA”, DEKLAROI AI.
Në përfundim të deklaratës, Zolfaghar u drejtua personalisht presidentit amerikan: “Z. Trump, ti bixhozxhi, ti mund ta kesh filluar këtë luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë atë.”
Tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta pas goditjeve të koordinuara nga avionët amerikanë ndaj tre centraleve kryesore bërthamore iraniane, një lëvizje që ka intensifikuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak në rajon.