Ligji i ri për Arsimin e Lartë

Propozimi për Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili aktualisht është në fazë përgatitjeje, paraqet një sërë shqetësimesh serioze që kërkojnë rishikim të thelluar. Në formën e tij aktuale, ky ligj përmban dispozita që rrezikojnë të jenë diskriminuese dhe jo në përputhje me realitetin institucional, shoqëror dhe ekonomik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Duke marrë parasysh se vendi është ende në tranzicion, sistemi i arsimit të lartë përballet me sfida të mëdha strukturore: pabarazi mes institucioneve, mungesë të resurseve financiare dhe kadrovike, si dhe kushte të pabarabarta për studentët dhe stafin akademik. Në këtë kontekst, vendosja e kritereve tepër rigoroze dhe selektive, pa mbështetje reale dhe pa analiza të qëndrueshme, rrezikon të thellojë edhe më tej këto pabarazi, në vend që t’i adresojë ato.

Ajo që shqetëson veçanërisht është fakti se kjo reformë, ashtu siç po propozohet nga Ministria, në vend që të hapë perspektiva për të rinjtë, rrezikon të mbyllë dyert e arsimit dhe zhvillimit profesional për një pjesë të madhe të tyre. Kufizimi i qasjes, mungesa e fleksibilitetit dhe mosmarrja parasysh e realitetit socio-ekonomik krijojnë një ambient që i shtyn të rinjtë të humbasin besimin në institucionet vendore dhe forcon edhe më shumë arsyet për migrim. Në vend që arsimi i lartë të jetë instrument për mbajtjen e rinisë në vend, ky ligj mund të shndërrohet në një shtysë shtesë për largimin e saj.

Ligji i propozuar nuk garanton në mënyrë të mjaftueshme barazinë e mundësive, autonominë universitare dhe lirinë akademike – parime themelore të arsimit të lartë bashkëkohor. Po ashtu, mungon një analizë reale e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë, gjë që e bën zbatimin e ligjit jo vetëm të vështirë, por edhe potencialisht përjashtues dhe diskriminues.

Për këto arsye, është e domosdoshme që propozimi për Ligjin e ri për Arsimin e Lartë të rishikohet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen aktive të universiteteve, stafit akademik, studentëve dhe ekspertëve të fushës. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një ligj i drejtë, jo-diskriminues dhe i zbatueshëm në praktikë – një ligj që hap mundësi për të rinjtë, e jo që i shtyn ata të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit.

Suat Usejni- demonstrator ne Universitetin Nënë Tereza- Shkup


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu