Në një paraqitje në emisionin “Click Plus” në TV21, Valbon Limani ka folur për rolin politik të Arben Taravari, duke e cilësuar atë si një nga protagonistët e ndryshimeve më të mëdha dhe ngjarjeve më të rëndësishme politike në vend gjatë viteve të fundit.
SipasLimanit, Taravari ka dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset politike dhe vazhdon të mbetet një figurë me peshë në skenën publike.
“Arben Taravari ka qenë protagonist i ndryshimeve të mëdha dhe i zhvillimeve më të rëndësishme politike në vendin tonë. Unë mendoj se ai ka akoma për të ofruar në politikën vendore dhe ende ka hapësirë për të kontribuar për shqiptarët dhe për vendin,” u shpreh Limani.
Ai theksoi se çdo vendim lidhur me kandidimin apo angazhimin e mëtejmë politik është çështje personale e Taravarit, ndërsa statuti i partisë ia mundëson edhe një mandat tjetër.
“Kandidimi është vendim i tij personal. Statusi i partisë ia mundëson edhe një mandat tjetër”, theksoi Limani.
Ai gjithashtu ka zbuluar se Aleanca për Shqiptarët është në fazën përfundimtare të hartimit të një Strategjie afatgjatë 2026–2036, e cila synon të shërbejë si platformë orientuese për dekadën e ardhshme.
Sipas tij, pjesë kyçe e këtij dokumenti do të jetë përgatitja e një marrëveshjeje të re ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, e ndërtuar mbi parimet e barazisë reale, demokracisë konsensuale dhe zhvillimit të qëndrueshëm./INA/










