Limani: Thirrjet antishqiptare në Kumanovë janë alarm për demokracinë – institucionet po veprojnë me standarde të dyfishta

Kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare të bëra gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, duke i cilësuar ato si një alarm serioz për stabilitetin dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Tv A2, ai shprehu indinjatën për mosreagimin e menjëhershëm institucional, duke theksuar se vonesat dhe qasja selektive dëmtojnë besimin e qytetarëve.

“Ajo që më brengos më tepër është mosveprimi institucional. Kemi parë raste kur organet e shtetit kanë reaguar menjëherë, si në rastin e klubit të futbollit Shkëndija, por për veprime të natyrës raciste e ekstremiste etnike nuk ka ende zhvillim institucional. Kjo tregon standarde të dyfishta,” – u shpreh Limani.

Ai theksoi se reagimet e vonuara të liderëve politikë maqedonas krijojnë dyshime te shqiptarët mbi gatishmërinë e tyre për të ndalur incidente të tilla në të ardhmen.

Limani u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, që të mos mjaftohen me dënime deklarative, por të ndjekin me vendosmëri rrugën institucionale për ndëshkimin e autorëve të thirrjeve të urrejtjes. Sipas tij, kjo është thelbësore jo vetëm për të garantuar barazinë etnike, por edhe për të mbrojtur rrugën e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Emisioni i plotë https://youtu.be/7YsDrPbQwt4


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu