Lind vajzë dhe e birëson, gjyshërit kërkojnë mbesën…

Çifti i bashkëshortëve, Luljeta dhe Qani i janë drejtuar rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare” për një temë mjaft delikate dhe tronditëse.

E bija e tyre ka sjellë në jetë një vajzë 12 vjet më parë, por nuk e dinë se kush është i ati dhe ku gjendet sot fëmija.

“Unë jam Luljeta Bana. Kam ardhur për vajzën e Fatmira Banës, që është mbesa jonë, për të bërë kërkime. Më kanë mashtruar, ma kanë fshehur fëmijën, vajza më qan përditë. Nuk dimë gjë (për babain), s’na ka treguar gjë vajza, vetëm për fëmijën dimë. Fatmira ka qenë 18 vjeç. Ne jetojmë në Ibë dhe vajza ka lindur te materniteti i ri në Brryl. Ia morën fëmijën, vajza kërkonte t’i jepte gji, këta nuk ia jepnin. E morën fëmijën dhe nuk e dimë se ku e çuan. Na thanë që e kanë çuar në Sauk te Shtëpia e Fëmijës, shkuam aty përditë, por s’na tregonin gjë. Vajza nuk ka firmosur gjë se sa ka lindur e kanë nxjerrë jashtë. Neve na u dogj shtëpia, ky ishte i sëmurë, unë grua bridhja pas fëmijës e ata ishin mashtrues, nuk tregonin”.

Ajo fajëson bashkëshortin e saj për birësimin e mbesës, ndaj dhe e ka sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi. Por Qaniu shprehet se nuk i kanë treguar për shtatzëninë e të bijës, pasi Luljeta e ka çuar vajzën tek i vëllai, që të mos e mësonte ai. Qaniu shton se në qoftë se do të ishte në dijeni që prej muajve të parë, vajza do të kishte abortuar dhe gjërat nuk do të kishin shkuar deri në këtë pikë.

Luljeta – Nuk tregoja se do më vrisje fëmijën!

Qaniu – Fëmija ka lindur më 9 Shkurt 2006…

Eni Çobani – Në fakt nga kërkimet tona nuk është kjo data e saktë. E dini mirë që ka lindur në Shkurt? Unë kam një informacion që ka lindur në Maj.

Qaniu – E di se ka lindur në një ditë me një grua të fisit tim dhe kanë qenë përballë në dhomë.

Eni Çobani – Duhet vërtetuar informacioni, që unë besoj se është zyrtar. E ka në Maj të vitit 2006.

Qaniu – Zonja më tha që fëmija ka lindur i vdekur.

Luljeta – Ta kam thënë se kisha frikë se mos vrisje fëmijën!

Eni Çobani – Pse e ke patur këtë mendim që Qaniu e vret fëmijën?

Luljeta – Kisha frikë se njeriu me gjaknxehtësi vret. Kishte frikë vajza se do vriste vajzën Qaniu, prandaj s’i tregoja këtij unë.

Qaniu – Unë s’kam vrarë njeri deri më sot. Kam dy funksione të rëndësishme në jetë dhe as kam bërë terrore e as kam vrarë njeri.

Ata disponojnë vetëm një dokument të datës 3.11.2008 nga Shtëpia e Fëmijës, ku thuhet se fëmija është birësuar sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave që përmban Kodi Civil në Republikën e Shqipërisë.

Juristja Eni Çobani shprehet se ky dokument nuk jepet, por ndoshta është bërë vetëm nga presioni i ushtruar nga familja Bana. Ajo shton se nuk e kupton si mund të jetë birësuar vajza, kur asnjë nga familjarët nuk ka firmosur për këtë gjë, por duke qenë se nuk kanë asnjë dokumentacion ligjor për të parë se çfarë ka ndodhur.

Qaniu tha se nëse do të ishin interesuar dhe do ta kishin ndjekur çështjen, fëmija nuk do të ishte birësuar. “Që të kërkosh një fëmij në rrugë private unë ngrej duart! Kur kam marrë vesh që vajza ishtë shtatzënë më ra si bombë se isha sëmurë vetë dhe më ishte djegur dhe shtëpia!”, u shpreh ai.

Juristja Çobani tregon se Fatmira nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikologjike, por kërkon vetëm të bijën sepse nuk e ka parë kurrë.

I ati i saj thotë se nëse Luljeta do ta kishte dëgjuar dhe do ta kishin dërguar vajzën në shkollë fetare në Durrës, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Por Luljeta i përgjigjet se nuk donte Fatmira, ndaj nuk mund ta çonte me detyrim.

“Kësaj nuk i pëlqeu mbulimi, por i pëlqeu zbulimi që e nxorri jashtë në rrugë. Atë (mbulimin) donte shkolla sipas rregullave të veta. Krahas shkollës fetare, mësimeve fetare, do të merrte dhe një profesion, ose rrobaqepëse ose parukiere. Po të dilte mirë me mësime, mund të shkonte direkt në Turqi se ishte kolegji turk. Do bëhej dikushi vajza, kjo s’e la! Më solle dhe këtu në publik për të më nxjerrë bojën!”, u shpreh Qaniu.

Ai fajëson bashkëshorten për çka ka ndodhur, por ajo i thotë se nuk e ka ndaluar vajzën të shkojë në shkollë dhe përsa i përket mbesës nuk i ka treguar nga frika se mos e vriste.

Eni Çobani shprehet se sipas personave që ajo vetë ka pyetur, Fatmira ka pranuar dhe ka firmosur që vajzën t’ia lejë shtetit, por nuk dihet nëse ajo ka qenë në gjendje për të lexuar dhe vlerësuar se çfarë është ai dokument, pasi nuk është e arsimuar. Pavarësisht këtij vendimi pas lindjes së saj, ajo mund të kishte shkuar për ta kërkuar të bijën, por nuk rezulton asnjë përpjekje e tillë nga ana e saj apo e familjarëve. Ndërsa prindërit thonë që Fatmira nuk ka firmosur asnjë dokument.

Juristja shton se sipas burimeve të saj zyrtare, Fatmira nuk e ka të saktë datëlindjen e fëmijës dhe më pas ka nënshkruar një deklaratë, që e ka kërkuar me dëshirën e saj, për birësimin e fëmijës, duke ia besuar institucioneve shtetërore.

Moderatori i emisionit “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea i afrohet Fatmirës, e cila ndodhet në publikun e studios, për ta pyetur nëse vërtetë ka firmosur dokumentin e birësimit të së bijës, çka ajo e pohon duke lotuar dhe shton se ia kanë marrë firmën me zor.

Eni Çobani shpreh habi duke thënë se po e dëgjon për herë të parë këtë gjë, pasi është takuar 4-5 herë me Fatmirën dhe e ka mohuar, duke thënë se ia kanë rrëmbyer fëmijën.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i jep të drejtë Luljetës , ndoshta duke e menduar situatën në sytë e një nëne, por Gjebrea thotë që nuk e kupton këtë “aleancë”, pasi Luljeta e mbron të bijën, duke gënjyer bashkëshortin e duke këmbëngulur që nuk ka firmosur, ndërkohë që vetë Fatmira e pohoi në studio që ka firmosur për birësimin e vajzës së saj. Juristja Çobani thotë se çdo nënë ka natyrën e vetë biologjike se si e mbron fëmijën, por në këtë rast është e gabuar.

Ajo shton se nuk mund të kërkohet pas 12 vitesh një fëmijë që është falur, pasi prishet mirëqënia mendore dhe shëndetësore e fëmijës që është birësuar pranë një familjeje tjetër. Ligji parashikon që dosja e birësimit të fëmijës nuk i jepet kurrë familjes biologjike, por vetëm fëmijës në moshën 18-vjeçare dhe familjes birësuese në raste shumë të veçanta.

Qaniu shprehet se fëmija nuk është fajtor i veprimeve të atyre që e kanë sjellë në jetë, ndaj ai nuk mund t’ua falë gënjeshtrat bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Por me këmbënguljen e moderatorit Gjebrea, juristes Çobani dhe publikut të “E Diela Shqiptare” ai vendosi që t’i falë dhe i jep dorën bashkëshortes, duke e përfunduar kështu me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi./ tvklan


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu