Referendumi në Katalonjë ka marrë vëmendjen e medieve botërore, në një situatë ku përveç kaosit, janë regjistruar qindra të plagosur. Pikërisht për këtë, do të jetë një ndeshje speciale ajo kundër Spanjës për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, që ka marrë për herë të dytë ftesën nga trajneri Christian Panucci (u grumbullua për ndeshjet me Lihtejnshtejnin dhe Maqedoninë). Futbollisti shqiptar, i cili ka lindur në Katalonjë mesa duket është më i shqetësuar për situatën që është krijuar në vendin e tij pas referendumit të djeshëm.
Dhuna e ushtruar nga policia spanjolle e kanë shqetësuar se tepërmi mbrojtësin shqiptar, i cili ka publikuar një status në profilin e tij në Tëitter: “Në shekullin e XXI…kjo është normale? Policia në një shkollë sulmon qytetarët, të cilët kanë shkuar për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar”. Duke parë mungesat e shumta, forma e mirë që po kalon dhe motivimi që ka Balliu për këtë ndeshje, mund ta bëjë që ai ta nisë titullar ndeshjen kundër Spanjës. Vetëm pak ditë më parë babai i tij deklaronte se, nëse Katalonja shpallet e pavarur, atëherë nuk është çudi që Ivani të luante për kombëtaren më të re në Europë.
Balliu është rritur në akademinë e Barcelonës, madje është grumbulluar disa herë në ekipin e parë, por nuk arriti të mposhte konkurrencën me Dani Alves dhe për pasojë u aktivizua te Barcelona B për disa vite, ndërsa nga viti i kaluar ai ka kaluar në Ligue 1 në Francë, me ekipin e Metz. E pati spikatur De Biasi dhe ishte ai që ndërhyri në FSHF për ta afruar te Kombëtarja shqiptare dhe u finalizua nga Christian Panucci, që me siguri do t’i japë shansin të debutojë me Spanjën, nisur edhe nga mungesat, por edhe nga fakti që mund të luhet me 5 mbrojtës në Alicante, më 6 tetor. /Telesport/










