Kryetari i “Listës Serbe”, Slavko Simiç sot dorëzoi emrat e 20 kandidatëve të partisë për deputetë të Kuvendit të Kosovës tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku konfirmoi pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 11 qershor, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas dorëzimit të listës, Simiç për gazetarët tha se “Lista Serbe” është partia më e fortë dhe më e madhe politike serbe në Kosovë. Ai theksoi se “qëllimi i pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare është që të vazhdojmë të zbatojmë idenë e përmirësimit të jetës së popullit serb që jeton në Kosovë.”
“Ne dëshirojmë të krijojmë një klimë pozitive për ta parandaluar që kundër popullit serb të përdoret një gjuhë e urrejtjes, të kërcënimeve dhe të shantazhit. Prandaj ne kemi propozuar një listë të kandidatëve me persona që të cilët janë të vendosur, të guximshëm dhe të cilët dëshirojnë t’i mbrojnë interesat nacionale të serbëve në Kosovë. Unë jam i sigurt që ‘Lista Serbe’ ka rreth vetes njerëz të cilët do të ndërtojnë një partneritet dhe marrëdhënie konstruktive me të gjithë këtu në Prishtinë dhe me ata të cilët do ta nisin procesin e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe proceset e tjera të cilat tani janë në bllokim dhe të cilat duhet të realizohen”, tha Simiç.
Ai po ashtu u shpreh se pjesëmarrja e subjekteve të tjera më të vogla politike serbe është e dëmshme për serbët që jetojnë në një periudhë “të rrethanave të ndërlikuara”.
“Disa ditë të fundit kam biseduar me pothuajse të gjithë liderët e partive serbe dhe iniciativave qytetare, por nuk kam dëgjuar asnjë ide si të fillohet procesi i formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si të fuqizohen ekonomikisht komunat me shumicë serbe dhe asnjë ide si të kthehen të zhvendosurit në Kosovë. Këto janë parti politike të cilat kanë interesat e tyre personale dhe për këtë arsye ata garojnë në këto zgjedhje parlamentare”, tha Simiç.
Pritet që në KQZ lista për kandidatë të deputetë do të dorëzojnë 5 subjekte politike nga radha e komunitetit serb. Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunitetit serb në Kosovë i janë garantuar 10 vende të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, si dhe pjesëmarrja në Qeveri. Në mandatin e fundit komuniteti serb kishte një zv/kryeministër dhe dy ministra.