Vlladan Kuzmanoviqi nga Lista Studentore, e cila fitoi në zgjedhjet parlamentare në Serbi më 25 tetor, tha se Lista Serbe në Kosovë do të duhet të fillojë të punojë në interes të komunitetit serb dhe jo të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
“Fillimisht, ne do t’iu ndihmojmë që të jetojnë me dinjitet, e më pas do të vazhdojmë edhe negociatat që kanë nisur, por që për shkak të politikës hipokrite të kësaj qeverie kanë hyrë në një qorrsokak. Qytetarët duhet të fillojnë të jetojnë me dinjitet, pa i shtypur askush, përfshirë edhe njerëzit e pushtetshëm në nivel lokal”, tha ai në një deklaratë për televizionin beogradas N1.
Lista Serbe u formua në vitin 2013 me mbështetjen e SNS-së dhe ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Kjo parti nuk ka reaguar pasi Lista Studentore fitoi në zgjedhjet e së dielës.
Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka në Kuvendin e Kosovës nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb, teksa një deputet është nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani nuk është deklaruar qartë lidhur me fitoren e Listës Studentore apo bashkëpunimin me autoritetet e reja në Serbi.
Në mbledhjen e Qeverisë më 28 tetor, ai vetëm konstatoi se, pas zgjedhjeve të së dielës në Serbi, SNS-ja e humbi shumicën parlamentare, teksa Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.
“Një çerekshekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, humbje pësuan edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi”, tha Kurti.
Më herët, Nenad Rashiq, ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, i tha Radios Evropa e Lirë se pas fitores së Listës Studentore pret rifillimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve. Ai shprehu pritjen që të dyja palët t’i drejtohen integrimit evropian.










