Gjatë vizitës në Jerusalem, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vizitoi Xhaminë Al Aksa, një nga vendet më të shenjta të fesë islame dhe me rëndësi historike dhe politike. Ai tha se u lut për ndalimin e armiqësive dhe luftërave, për popullin e tij dhe për drejtësi ndaj atyre që e kanë humbur rrugën e Zotit ose veprojnë në kundërshtim me ligjin.
“Gjatë vizitës në Jerusalem, vizitova Xhaminë Al Aksa e cila ka simbolikë fetare e historike, politike dhe identitare dhe është një nga vendet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në botë. Pas Mekës dhe Medinës, Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame dhe ishte Kibla e parë e myslimanëve. Këtu, në mes tjerash u luta që të ndalet armiqësia mes njerëzve dhe popujve, të ndalen luftërat dhe padrejtësitë. Në veçanti u luta për popullin tonë i cili pati fatin të ketë prijës të denjë që e ruajnë popullin e vet me miq të vërtetë kur na kanosej zhdukja. U luta në veçanti për të gjithë ata njerëz që e kanë humbur rrugën e zotit duke shpifur e duke bërë punë të këqija, të mos i bëjnë më, po ashtu, u luta për ata që i japin zor me ligjërata koti dhe hajnat e votës, të mos e bëjnë më, sepse, jo vetëm Zoti, por edhe ligji i dënon!”, ka shkruar Lladrovci.










