Llogaridhënie, kritika, humor: Detaje se çfarë ndodhi brenda mbledhjes së BDI-së (VIDEO)

Nisën të mblidhen në seli në kohën e paracaktuar. Artan Grubi në duar mbante dosje voluminoze, me shumë gjasa të raportit që do ta prezantonte para partisë për punën e ministrave.

“Ditë e bukur shumë edhe me Diell, edhe për BDI-në edhe për gjithë qytetarët”.

Zëdhënësi Bujar Osmani thoshte se riemërimi i ministrave nuk është temë e ditës.

“Nuk është ajo temë sot”.

Po nënkryetari Izet Mexhiti kishte ardhur me mendje të prerë se çfarë do të kërkonte si “grup i zjarrit”.

“Me emër e mbiemër e kemi thënë që kërkojmë, për joefikasistet, për jorealizim të programit, ndërrimi i z.Grubi”.

Ndërsa Musa Xhaferi tha se pas një jave do të shihet se kush do të qeshë i fundit.

“Pas një jave ata që fitojnë do të qeshin.

-Ju apo ata?

-Varet nga debati?”

Dhe kështu u mblodhën të gjithë për të nisur mbledhjen e kryesisë së re, të formuar para 2 javësh.

Pasi Ahmeti flet për gjendjen aktuale në shtet, zgjidhen drejtuesit e sekretariateve partiake, Artan Grubi rizgjidhet shef i kabinetit të Ali Ahmetit, pas çka nis prezantimin e raportit llogaridhënës së punës së ministrave integrisë. Prezantimi zgjat rreth 1 orë. Pas kësaj nis debati.

Vërejtjet e para që bëhen nga të pakënaqurit është rreth punësimeve, pas çka Grubi përgjigjet se vendim i partisë që të ndërpritet praktika e punësimit të njerëzve që nuk shkojnë në punë.

Pastaj ka pasur kritika nga Musa Xhaferi dhe Sadulla Duraku se në Ministrinë e Financave si dhe atë të Punëve të Jashtme ka pak udhëheqës shqiptarë të sektorëve. Nga ana tjetër, kritikat e Izet Mexhitit kanë qenë kryesisht për projektet infrastrukturore.

Cak i kritikave kanë qenë edhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi si dhe ai i Mjedisit, Naser Nuredini. Burime nga brenda integristëve thanë për TV21 se nga “grupi i zjarrit” me kritika më të argumentuara ka folur Blerim Bexheti, por nga ana tjetër edhe Grubi në mënyrë të argumentuar e ka prezantuar programin e Qeverisë. E në momentin kur nis të nxehet debati, Ali Ahmeti porosit pica, andaj mbledhja ndërpritet për një pauzë dreke.

Debati rikthehet pas pak, ndërsa Musa Xhaferi dhe Xhevat Ademi kanë nisur nga akuzat duke thënë se reformat në parti nuk bëhen me njëri-tjetrin dhe duke kritikuar shoqi-shoin se pse janë zgjedhur në kryesinë e re dhe nuk ia kanë lënë vendin të rinjve.

Nga ana tjetër, kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, por edhe kryetarët e tjerë të komunave kanë kërkuar nga ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi që të jetë më i përpiktë me menaxhimin e krizës, për shkak se komunat po paguajnë fatura të larta, ndërsa vërejtjeje kanë pasur edhe për kthimin e TVSH-së për komunat.

Deri sa zhvillohej kjo mbledhje, kishte raste që në media dilnin detaje të diskutimeve, përpjekje kjo e gazetarëve që të informojnë saktë dhe drejtë. E si pasojë, kur zëdhënësi i partisë Bujar Osmani e sheh se po rrjedhin informacione, i shqetësuar, kërkon nga të gjithë të pranishmit që të shkyçin celularët, gjë që edhe ndodh.

Burime të TV21 tregojnë po ashtu se gjatë debatit ka pasur edhe momente të shumta humori, kryesisht nga Nevzat Bejta dhe Sadulla Duraku. Për shembull Bejta ka komentuar se “populli nuk na voton se jemi të bukur por se duhet të punojmë”, ndërsa Duraku ka thënë se “institucionet që nuk udhëhiqen nga BDI nuk janë orbitë, por janë në kuadër të Qeverisë”.

Një moment tjetër interesat është kur një kryetar i një dege më të vogël të partisë, kishte shkuar në takim me një raport të përgatitur për prezantim, por në një moment në njëjtin e lë anash duke thënë “më mirë shoh teatër sesa të flas”, duke e lënë kështu raportin pa prezantuar.

Sipas paralajmërimit, debati brenda integrisëve vazhdon më 19 nëntor.

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu