LR-PDSH i dërgon letër të hapur Parlamentit Evropian

LR-PDSH i është drejtuar përmes një letre të hapur Parlamentit Evropian me anë të së cilës i kërkon që të përshpejtohet në mënyrë urgjente reagimi i BE-së dhe të ndihmohet aktivisht në formimin e qeverisë së re.

LR-PDSH përmes kësaj letre ka vendosur që të informojnë imtësisht Parlamentin Evropian për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Partia thotë se objektivat e turmës ishin krerët e shumicës së re, Ziadin Sela dhe Zoran Zaev, si dhe deputetët e tyre. Sipas tyre, kjo dhunë siç thonë, e koordinuar dhe e pakrahasueshme në çdo Parlament të botës së lirë, rezultoi në më shumë se 100 persona të plagosur, duke përfshirë gazetarë dhe të paktën 10 deputetë, ndër të cilët Sela dhe Zaev ishin të plagosurit më rëndë.

“Sela u rrah nga dhjetëra terroristë me çdo gjë që mund të merrnin në duart e tyre, deri në momentin e alivanosjes. Trupi i tij pa ndjenja u tërhoq nëpër korridoret e Parlamentit nga terroristët të cilët e lanë Sela për të vdekur derisa ata largoheshin.

Fatmirësisht, Selës iu ofrua ndihmë emergjente mjekësore dhe shpejt u transferua në spital ku tani po shërohet nga fraktura të shumta, plagë dhe hemorragji cerebrale. Disa fotografi të sulmit janë të bashkangjitura. Kërkoj falje për përmbajtjet grafike”, thuhet në letër.

LR-PDSH thekson se: i ashtuquajturi president, Gjorge Ivanov dhe VMRO-DPMNE , parti të cilës ai i përket, vazhdojnë të bllokojnë transferimin paqësor të pushtetit duke refuzuar t’i japin një mandat Zaev për të formuar qeverinë e re.

VMRO vazhdon të këmbëngulë që vendi të mbajë zgjedhje të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit të vitit të kaluar, rezultat i të cilave e dërgon VMRO-DPMNE-në në opozitë.

Në fund, ata i bëjnë thirrje BE-së që të intensifikojë angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të ripohojë përkushtimin e saj të qartë për zgjerimin. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu