Grupi parlamentar i LSDM-së dhe partnerët e koalicionit nesër do të dorëzojnë në Kuvend nismën për thirrjen urgjente të seancës. Nisma është titulluar si Propozim Vendim për konfirmimin e vendimit për ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe përmban dy pika identike. Ka të bëjë me dy vendimet e marra nga presidenti Stevo Pendarovski për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit. E para e miratuar më 18 mars dhe e dyta më 16 prill të këtij viti.
Burime nga LSDM-ja thonë se deputetët kanë të drejtë të kërkojnë seancë urgjente në bazë të neneve të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, ku është theksuar se seanca mund të thirren edhe me propozimin e të paktën 20 deputetëve. Nismën e kanë nënshkruar mbi 30 deputetë të koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja, pastaj nga Aleanca për shqiptarët, Alternativa, Besa dhe PDSH-ja.
Grupi parlamentar i LSDM-së
“Qëndrimi i grupit parlamentarë të LSDM-së është se Kuvendi duhet të jetë në funksion dhe për këtë janë plotësuar të gjitha kushtet. Prandaj, qëllimi jonë është të bëjmë përpjekje të thirret seancë në Kuvend në të cilën do të verifikohen vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por të vendosë edhe për çështje tjera”
Këtë nismë nuk e kanë nënshkruar VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja. Nga VMRO thonë se pushteti me këtë nismë dëshiron ta shpërqendrojë vëmendjen e opinionit për disa vendime, si akciza për derivatet dhe keqmenaxhimi i situatës me koronavirusin dhe se tashmë 108 deputetë kanë votuar për shpërndarjen e Kuvendit. Ata pyesin edhe atë sesi do të funksionojnë masat e mbajtjes së distancës prej dy metrave.
Vllado Misajllovski, VMRo-DPMNE
“Çfarëdo hapi që është jashtë asaj që janë marrë vesh në takimin e liderëve në takimin e fundit të liderëve politik, paraqet shkelje të njëanshme të parimit për konsensus politik. Është e qartë se bëhet fjalë për dy gjëra. Zaev futet në aranzhim privat me deputetë ose është dëshira shumë e madhe të bëhet gjueti në mjegull”
Nga BDI-ja jozyrtarisht thonë se deri tani askush prej tyre nuk ka kërkuar mbështetje për këtë nismë. “Njëherë ta shohim, e pastaj do vendosim”, thonë nga BDI-ja. Nga kabineti i Xhaferit nuk komentojnë asgjë pa e pranuar niusmën.










