LSDM përjashton shqiptarët, “flirton” me VMRO-në

A e kanë filluar BDI dhe LSDM betejën elektorale për votat e shqiptarëve? Fundi i mandatit ngjason me fundin e “romancës së tyre” elektorale. Ashtu siç afrohet data për formimin e Qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ashtu edhe retorika e partnerëve të koalicionit bëhet me e ashpër. Ajo që është kapak i gjithë këtyre turbulencave politike është se dy partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE për gjashtë muaj rresht zhvillojnë bisedime për Kodin Zgjedhor pa prezencën e partive shqiptare.

Propozimi për Një njësi zgjedhore i propozuar nga LSDM-ja e Zoran Zaevit është kundërshtuar ashpër nga partneri i koalicionit BDI dhe partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Dy partitë që e kundërshtojnë modelin me një njësi zgjedhore kanë adresuar në parlament mbi 6 mijë amendamente. Bazuar në kundërshtimin e ashpër të BDI-së për një njësi zgjedhore, dhe insistimin e LSDM-së në këtë model, lind dilema se vallë mund të tronditet koalicionin qeveritar nga ky dyzim qëndrimesh.

Drejtuesi i programit politik “200” në Alsat-M, gazetari Nazim Rashidi vlerëson se shumë pak e rëndësishme është “tronditja” në krahasim me atë se çfarë duhet të jetë një debat real për Kodin Zgjedhor. “Atë që opinioni do të dëshironte do të ishte një debat real për propozimet. Se çfarë është realisht më mirë për demokracinë. Kjo i vë në pozitë të vështirë partitë para votuesve, sepse duket sikur bëjnë shoh. Sa për tronditje, kjo edhe s’ka më rëndësi fare dhe as opinioni s’duhet të fokusohet këtu. Vëmendja duhet të jetë tek esenca e çështjes, sepse shumë shpejtë qeveria do të jetë teknike. Kurse të gjitha raportet e tjera mes partive pastaj do ti përcaktojë rezultati zgjedhor në prill”, deklaroi për KOHA, Nazim Rashidi, gazetar.

Gazetarja Aleksandra Micoska Mitevska thotë se duhet pasur parasysh se nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, LSDM dhe BDI kanë target elektoratin shqiptarë.

“Nga vitit 2016 edhe LSDM edhe BDI llogaritin në vota nga elektorati shqiptarë. Nga këtu del edhe konkurrenca brenda koalicionit, por nuk përjashtohet që parazgjedhjeve të ketë edhe përplasje. Kjo nuk do të thotë se LSDM dhe BDI pas zgjedhjeve, varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve nuk do të jenë në situatë që përsëri të merren vesh për koalicion të ri”, thekson Micoska Mitevska.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend Aco Kabranov konsideron se mija amendamnetet e BDI janë kulmi “bregut të akullt” në dallimet edhe ashtu të mëdha të partnerëve të koalicionit BDI-LSDM. “Prapaskena e këtyre dallimeve është më se e qartë se ka të bëjë me pozicionimin e partive për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Koha për prishjen e koalicionit ka marrë fund, kanë ngelur vetëm se 15 ditë deri në formimin e Qeverisë së Përzhinës, e cila do të ketë për obligim që ti zbaton zgjedhjet e planifikuara për 12 prill. BDI i ka bërë disa hapa të cilat e kanë afruar me qëndrimet e VMRO-DPMNE-së opozitare, për çka kishte reagime edhe nga kryeministri”, thotë Kabranov. Sipas tij, partia e Ahmetit ka bërë hapa me të cilat ka dashur të dërgojë sinjal para elektoratit shqiptarë se ato janë përfaqësuesit e tyre.

Nga ana tjetër gazeta KOHA mëson se dy partitë maqedonase LSDM dhe VMRO DPMNE për gjashtë muaj rresht janë duke zhvilluar bisedime për Kodin Zgjedhor, pa prezencën e partive shqiptare. “Bisedimet zhvillohen në mënyrë permanente, ndërsa gjashtë muajt e fundit me intezitet më të madh. Kemi dallime të mëdha, por kemi edhe qëndrime të njëjta për inkorporimin e vërejtjeve të OSBE-ODHIR-it në Kodin Zgjedhor”, thonë burime partiake nga LSDM-ja dhe VMRO-ja për KOHA.

Sekretari i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha vlerëson se kjo është metodologji përjashtuese për shqiptarët. “VMRO dhe LSDM në gjashtë muajit e fundit kanë takime permanente për Kodin Zgjedhor, dhe nuk jemi të përfshirë as ne si Lëvizja BESA as BDI-ja, kjo nuk është e sinqertë, të përjashtosh shqiptarët nga ky proces”, deklaroi Hoxha. Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës vlerësojmë që mënyra të këtilla të marrëveshjeve prapa kuintave mes LSDM dhe VMRO-s për çështje të rëndësishme të këtilla kanë ekzistuar gjithmonë. “Deri sa shqiptarët në Qeveri i përfaqësojnë parti politike të cilat dyshohet që janë në sirtarët e sistemit për keqpërdorime të ndryshme.

Praktikisht nëse e marrim të mirëqenë këtë informacion pa dyshim që fajtore është partia shqiptare e cila të paktën formalisht është pjesë e qeverisë. Ne si Aleancë për shqiptarët nuk do të pranojmë assesi marrëveshje të këtilla mes LSDM dhe VMRO pa pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe dënojmë ashpër si edhe deri me tash sjelljen e partive maqedonase LSDM dhe VMRO të cilat provojnë të paraqiten si pronarë të shtetit dhe shqiptarët t’ i konsiderojnë vetëm si numra”, deklaroi për KOHA, nënkryetari i ASH-së, Remzi Mehmeti.

Ndryshe, Parlamenti duhet të shpërbëhet më 10 shkurt, ndërsa për shkak të numrit të madh të amendamenteve më se e mundshme është që zgjedhjet e 12 prillit të mbahen me modelin e vjetër zgjedhor, gjegjësisht me 6 njësi zgjedhore nga të cilat dalin nga 20 deputet. Përveç interpretimeve të ndryshme mbi vlerësimin e Komisionit të Venedikut për Ligjin për gjuhët, mbetet e hapur edhe çështja se a do të jetë Kodi Zgjedhor pengesa për “divorcin” mes partnerëve të koalicionit LSDM-BDI.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu