Luksemburgu synon të njohë shtetin e Palestinës

Kryeministri i Luksemburgut Luk Friden dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ksavier Betel, deklaruan para bordit parlamentar se Luksemburgu synon të njohë shtetin e Palestinës.

Sipas mediave lokale, vendimi përfundimtar pritet të merret më vonë gjatë këtij muaji në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në koordinim me disa vende të tjera evropiane, përfshirë Francën dhe Belgjikën, raporton Politico.

Ky zhvillim vjen pas disa muajsh hezitimi nga qeveria luksemburgase dhe në kohën kur thirrjet nga liderët evropianë për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë po shtohen.

Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se ekzekutivi i BE-së do të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, duke pezulluar pagesat për vendin dhe duke vendosur sanksione ndaj asaj që ajo i quajti “ministra ekstremistë” dhe kolonë të dhunshëm.

Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të premten një deklaratë që parashikon “hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete në rajon. Ky dokument do të diskutohet në takimin e Asamblesë më 22 shtator, raportoi një portal nga Brukseli.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu