
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është nisur për një vizitë urgjente në SHBA. Në kulmin e fushatës, ai ka shkuar në Uashington dhe sipas burimeve, bëhet fjalë për një vizitë 24-orëshe. Arsyet e saj janë ende mister dhe nga selia blu nuk kanë preferuar të japin arsye. Zyra e shtypit shpërndau një takim elektoral të zhvilluar të hënën me banorë të fshatit Hamil në Fier, të cilëve Basha u shpjegoi planin e tij ekonomik. “Pasi kemi parë problemet reale, mundësitë reale për të dalë nga kjo gjendje. Pasi e kemi konsultuar me ekspertët më të mirë të fushave të bujqësisë dhe blegtorisë dhe pasi kemi marrë vulat e ekspertëve më të mirë të ekonomisë në Gjermani, në Europë, që janë këshilltarët ekonomikë të kancelares gjermane. Qëllimi është rritja ekonomike, punësimi, mirqënia e njerëzve”, tha ai. Mbështetjen për programin ekonomik të demokratëve e dha nga Durrësi në një takim elektoral me banorë të këtij qyteti edhe këshilltari politik i grupit parlamentar CDU në Bundestagun gjerman, Hans Joachim Falenski.
“Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike Gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni me 25 Qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do hyni më shpejt në Europë”, tha ai.
Këshilltari politik i CDU-së hodhi kritika të ashpra në adresë të kreut të qeverisë që sipas tij kanabizoi vendin dhe largoi shqiptarët. Kohët e fundit kemi vënë re një afrimitet të madh mes PS dhe PD, ndërsa vizita e Bashës në SHBA ka shtuar dyshimet. Duket se ishin amerikanët kumbarët e marrëveshjes Rama-Basha dhe ndoshta në vizitën e Bashës do diskutohet dhe për këtë çështje. Pak ditë më parë, në një takim me fermerët në Korçë Basha e përmendi vizitën, ndërsa u diskutua dhe për një takim me Presidentin Donald Trump.









