Macron në Tiranë: Komuniteti politik na bën të gjithëve të barabartë, Kosova nuk po mban fjalën e dhënë pas heqjes së vizave

Një gabimi historik shekullor është ndrequr me vizitën e Emmanuel Macronit në Tiranë. Ai vetë e pranon se ishte e pafalshme që në 101 vite të vendosjes së marrëdhënieve, mes dy shteteve tona nuk ka pasur asnjë vizitë të një kreu të shtetit të Francës në Shqipëri.

“Kjo vizitë zyrtare ishte një formë riparimi, një formë rregullimi i gabimit. Gjithsesi është në një formë riangazhimi dhe rishpikje e marrëdhënies sonë”.

Edi Rama nga ana tjetër, i zhveshur nga çdo kompeks, nuk la rast pa e shprehur se ndihej i lumtur që Presidenti Macron ishte në Tiranë e që në më pak se 24 orë të qëndrimit të tij në vendin tonë, i tregoi mikpritjen shqiptare dhe mirënjohjen për çka është bërë në këto vite nga ana e tij për Shqipërinë.

“Jam shumë i lumtur”.

Ajo që mbizotëroi konferencën për shtyp ishte fati europian jo vetëm i Shqipërisë e rajonit, por i gjithë kontinentit.

Macron sqaroi dhe njëherë përse në 2018 bllokoi hapjen e negociatave për vendin tonë dhe sa i rëndësishëm është krijimi i komunitetit të ri politik ku të gjithë ulen si të barabartë e që ai e vetë e quan bashkimi i Europës, por dhe ndryshimi i mekanizimit të zgjerimit që tanimë është më pak burokratik e më shumë politik.

“Doja që t’i jepej fund një mekanike që ishte e ftohtë, hipokrite për mendimin tim dhe jo efikase sepse po e shihja që po shkaktonte mëri tek vendet tuaja fqinje”.

Por Rama që ka qenë ndër të parët që e ka mbështetur krijimin e këtij komuniteti të ri politik, mendon se duhet të ketë dhe një reformim brenda Këshillit Europian dhe vetoja mos të përdoren pa kritere për çështje kombëtare nga vende që janë anëtarë, por s’kanë peshën e vendeve themeluese të unionit. Ai po ashtu është i vetëdijshëm që nuk ka pse të ketë një korsi të veçantë për Shqipërinë që i ka përmbushur reformat në bazë të anëtarësimit.

“Mua Këshilli Europian sot, më duket si një familje ku gjyshërit, prindërit, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve janë në të njëjtën tavolinë dhe të gjithë kanë njësoj të drejtë të ndalojnë vendimmarrjen“.

Presidenti francez nuk u ndal gjatë tek ngjarja e 24 Shtatorit duke thënë se e dënon atë dhe pret që të njëjtën gjë të bëjë me urgjencë dhe presidentit Vuçiç, por ai i kujtoi Albin Kurtit se sa e rëndësishme është fjala e dhënë.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin. Ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë; riorganizmi i zgjedhjeve në komunat që u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht dhe pres që presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar.

Ndërsa Rama vetë u ripozicionua edhe njëherë pro planit franko-gjerman dhe zbuloi deklaratën e Kryeministrit holandez Mark Rutte, thënë Kurtit dhe Bërnabiçit gjatë drekës së samitit.

“Rutte ju tha, kur bën paqe shikon jo çfarë fiton, por dhe çfarë mund të humbasësh”.

Por Macron dhe Rama u ndalën tek marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Francë dhe bashkëpunimi pozitiv në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, rritjen e numrit të turistëve francezë këtë verë apo dhe rritjen e investitorëve francezë vitet e fundit.

Vetë Macron flet me shifra për mbështetjen financiare të vendit të tij dhe premton hapjen e Kolegjit Francez në Korçë.

“Me Agjencinë Franceze të Zhvillimit do ta shoqërojmë Shqipërinë në reformat e saj ekonomike, tranzicionin energjetik dhe mjedisor. 210 milionë Euro janë hedhur në punë që prej vitit 2019 për 4 projekte dhe më shumë se 600 milionë do të hidhen deri në vitin 2027 për projekte të reja, sipas prioriteteve tuaja”.

Presidenti francez i pyetur nga mediat franceze u ndal dhe tek zhvillimet në Rripin e Gazës, por dhe masat që ka ndërmarrë Franca pas rrezikut të shtuar të sulmeve terroriste që po shtrihen në gjithë Europën ditët e fundit. Gjatë vizitës së presidenti francez u nënshkruan dhe disa marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe kryesisht në infrastrukturë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu