Maqedoni e Veriut, ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov, paraqitet në prokurori

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka bërë të ditur se ish-kreu i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, i akuzuar në rastin “Target-Fortesa“, është paraqitur në prokurori dhe i është dhënë vendimi për masën e caktuar të arrestit shtëpiak.

Dy ditë më parë, si rezultat i informacioneve operative që tregojnë mundësinë e arratisjes, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Gjykata Themelore Penale – Shkup të akuzuarit Sasho Mijallkov i përcaktoi masën e arrestit shtëpiak dhe 24 orë mbikëqyrje. Deri më sot i akuzuari ishte i paarritshëm nga autoritetet e zbatimit të ligjit“, tha Prokuroria Themelore Publike në një njoftim.

Dje, Këshilli Penal në Gjykatën Themelore Shkup miratoi një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për ish-kreun e DSK-së, Mijallkov, pasi një ditë më parë, më 21 shkurt, filloi kërkimi për Mijallkovin për të cilin gjykata dha një vendim për arrest shtëpiak derisa të shqiptohet aktgjykimi në rastin “Target-Fortesa”, që pritet të shqiptohet deri në fund të kësaj jave.

Për kapjen e Mijallkovit fillimisht u shpall fletarrest kombëtar. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dje reagoi lidhur me rastin në fjalë, duke theksuar se populli kërkon dhe pret drejtësi.

Për këtë rast reagoi edhe presidenti Stevo Pendarovski, i cili në një reagim me shkrim u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente të marrin masat e nevojshme për të zbatuar vendimin e gjykatës për arrestimin e Mijallkovit. Mijallkov është i akuzuari i parë mes 12 personave të akuzuar në lëndën “Target-Fortesa“.

Në lëndën akuzohen edhe kryeshefi i Drejtorisë së pestë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK-së, Nikolla Boshkovski, të cilët janë në arrati në Greqi, si dhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski.

Siç qëndron në aktin prokurorial, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët nuk janë lëshuar urdhra gjyqësore. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu