Maqedonia e Veriut ende po i mban kufijt me kushte për të hyrë dhe për të dalur. Për fundjavë u paralajmërua se do të ketë vendim për hapjen e tyre pa kushte: pa test PCR dhe pa karantinë 14 ditëshe, por kjo nuk ndodhi.
Nga Qeveria nuk ka asnjë informacion dhe se pritet që sot të ketë ndonjë qëndrim.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive (KSI) topin ia ka hedhur Qeverisë, duke theksuar se ajo duhet të vendos.
Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni profesional nuk është diskutuar kjo çështje.
Hapja e kufijve është çështja e parë për të cilën distancohet Komisioni pa shprehur mendimin e tyre shkencor.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në emisionin e fundit “Click Plus” në TV21 tha se për fundjavë, ky komision do të zhvillojë takim në lidhje me kufijtë, ekspertët sot nuk janë mbledhur.
“Hapja e kufijve është diçka që kërkon koordinim rajonal të të gjitha vendeve të rajonit. Vlerësimi është se të gjithë kemi rrezik të ngjashëm apo të njëjtë epidemiologjik, karakteristika të njëjta gjatë valës së parë dhe karakteristika të njëjta sa i takon intensitetit, vetëm që ne jemi të parët që reaguam. Por, është shumë me rëndësi të kemi koordinim për t’i ndjekur të gjitha kontaktet, nëse është e nevojshme. Ne do të bisedojmë për hapjen e kufijve gjatë kësaj fundjave dhe do të sjellim vendim javën e ardhshme”, tha Filipçe.
Nga 17 Qershori mbeten në fuqi masat për test të detyrueshëm PCR dhe karantina gjatë hyrjes në vendin tonë.
Ndryshe Serbia, Shqipëria dhe Kosova janë vendet fqinje ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë pa test dhe pa karantinë.










