Maqedonia e Veriut ka çmimin më të lartë të kartonit të gjelbër në rajon

Qytetarët e Maqedonisë paguajnë çmimin më të lartë për karton të gjelbër krahasuar me vendet fqinje. Në shumë vende të rajonit si Serbia, Bullgaria dhe Greqia, ky karton përfshihet në polisën bazë të sigurimit të automjeteve dhe merret automatikisht me regjistrimin e automjetit. Shoferët thonë se çmimi është shumë i lartë për standardin tonë dhe kërkojnë ulje të menjëhershme.

“Çmimi është shumë i shtrenjtë, për standardin tonë është shumë i shtrenjtë dhe duke parë vendet e tjera, të gjithë kanë karton të gjelbër bashkë me regjistrimin. Por tani duhet të sillemi siç komandon shteti.”

“Epo, kjo do të ishte mënyra më e mirë, kjo do ta ulte çmimin. Mund të mos u përshtatet atyre që nuk marrin fare karton të gjelbër, por sipas mendimit tim duhet të përfshihet në regjistrim.”
“Mendoj se e kemi çmimin më të lartë të kartonit të gjelbër kurse standardin më të ulët. Diçka duhet të ndryshojë.”

Ministria e Financave thotë se po punon për përgatitjen e një analize të hollësishme lidhur me çështjen e çmimit të kartonit.

“Ministria e Financave po bën analiza. Në rajon, Republikës së Maqedonisë i është dorëzuar një draft-udhërrëfyes, i cili është hartuar në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, i cili synon lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve motorike brenda shteteve anëtare të CEFTA-s. Lidhur me draft- udhërrëfyesin, po ndërmerren aktivitete për të përcaktuar hapat konkret në përputhje me dinamikën kohore. Më saktë, po punojmë për përcaktimin e propozimeve që do t’i paraqiten Qeverisë për miratim, pas së cilës ato do të ndahen me publikun”, thonë nga Ministria e Financave.

Si partia në pushtet VMRO-DPMNE ashtu edhe partia opozitare LSDM premtuan në fushatat e tyre zgjedhore se do ta ulnin çmimin e kartonit të gjelbër ose do ta bënin atë 1 euro.

Sipas të dhënave zyrtare që ka siguruar Alsat nga Agjencia për Mbikëqyrjen e Kompanive të Sigurimit dëshmohet se për pesë muaj, pra nga janari i këtij viti deri në maj, kompanitë e sigurimeve kanë lëshuar kartonë të gjelbër me vlerë 535.1 milionë denarë për mbi 100,000 kontrata, ndërsa kanë paguar dëmshpërblim prej 56.7 milionë denarë për pothuajse 600 aksidente. Vitin e kaluar, ata kanë lëshuar kartonë të gjelbër me vlerë 1.3 miliardë denarë për 274,268 kontrata kurse kanë paguar dëmshpërblim prej 449.2 milionë denarë për 1,561 kërkesa.

Muaji viti 2025 Fitimi nga pagesat Numri i kontratave Shuma e dëmeve të paguara Dëmet e paguara

Janar 96,5 mil denarë 18.317 23,7 mil denarë 122
Shkurt 94,3 mil denarë 17.699 48,9 mil denarë 118
Mars 98,9 mil denarë 18.641 36,5 mil denarë 108
Prill 114,3 mil denarë 21.930 31,7 mil denarë 141
Maj 131,1 mil denarë 25.267 25 mil denarë 101
Gjithsej 535,1 mil denarë 101.854 56.7 mil denarë 590

I-XII 2024 1,37 miliardë denarë 274.268 449,2 mil.denarë 1.561

Kartoni i gjelbër shërben si mbrojtje sigurimi për shoferët që udhëtojnë jashtë vendit. Qëllimi kryesor është të sigurohet kompensim për dëmet materiale dhe jomateriale të shkaktuara në ndonjë aksident trafiku. Nëse një automjet me targa maqedonase shkakton aksident jashtë vendit, shpenzimet për automjetet e dëmtuara dhe çdo shpenzim mjekësor do të mbulohen nga kompania maqedonase e sigurimeve që e ka lëshuar kartonin e gjelbër./Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu