“Maqedonia e Veriut mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Në këtë takim, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve “janë vlerësuar si të shkëlqyeshme“.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, të dy palët kanë shprehur gatishmërinë që marrëdhëniet të thellohen edhe më tej, posaçërisht në sferën e ekonomisë dhe turizmit.

Ministri Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën e saj evropiane, duke shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkim Evropian. Në këtë kontekst, ai ka kundërshtuar idetë për rivizatimit të kufijve, duke theksuar se “Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës dhe perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar modele të suksesshme”.

Presidentja Osmani ka ritheksuar se skenarë të tillë duhet ta parandalohen bashkërisht. “Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë dhe e bëjnë Kosovën jofunksionale”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim, ndër të tjera është biseduar edhe situata me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), në të dy shtetet. ​​​Presidentja Osmani ka thënë se në bashkërendim me Qeverinë po e bëjnë të pamundshmen që bashkë me partnerët ndërkombëtarë t`i sigurojnë vaksinat për qytetarët e Kosovës.

Ministri Osmani i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë ka takuar edhe homologen e tij Donika Gërvalla, ndërsa do të takohet sot edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu