Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha dje se qeveria e tij është e gatshme të pranojë emër me përcaktim gjeografik për vendin, sipas rekomandimeve të palës greke, por shtoi se nuk do të pranojë çdo çmim për zgjidhjen e kontestit të vjetër e delikat me Greqinë. Pas kërkesës së një dite më parë nga ministri i jashtëm grek për prononcim mbi çështjen, Kryeministri Zaev ka njoftuar gjithashtu vendimin e Qeverisë për riemërimin e aeroportit “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, dhe të autostradës së Korridorit 10, nga “Aleksandri i Madh” në “Autostrada Miqësia”. Dy lëshimet e para të Shkupit u përshëndetën nga Athina zyrtare, e cila i quajti zhvillime të rëndësishme drejt rrugës së kompromisit. Por ashtu siç kanë përmendur disa zyrtarë ndërkombëtarë për përfshirë në negociata, duket se problemi i kryesor mbetet bindja e publikut dhe grupeve opozitare respektive për ndjekjen e rrugës së diplomacisë. Protesta masive janë zhvilluar në të dyja vendet kundra tolerimeve historiko-kulturore ndaj fqinjëve, të cilat gjithsesi nuk e kanë ndaluar vullnetin e bashkëpunimit mes qeverive.
Jo zgjidhje me çdo çmim
Pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar, Zaev tha se me rëndësi është të vazhdojnë bisedimet me Athinën, dhe sa më shpejt të arrihet zgjidhja përfundimtare. “Ne jemi të gatshëm për diskutimin e emrit përcaktim gjeografik. Këtu do të ndalem paksa sepse është çështje e ndjeshme. Duhet t’i japim shans bisedimeve për arritjen e zgjidhjes. Në të njëjtën kohë, vendosëm bashkë që çdo ide e mundshme që do na shpie deri tek zgjidhja. Gjithçka që mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit duhet ta shfrytëzojmë”, ka deklaruar Zaev, duke shtuar se tolerimet nuk do të thotë se vendi i tij do pranojë zgjidhjen me çdo çmim. “Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për zgjidhjen e çështjes së emrit, por jo me çdo çmim”, tha theksoi kryeministri, Zaev, i cili nuk zbuloi detaje rreth përcaktuesit të pranueshëm gjeografik, për të mos dëmtuar negociatat, por tha prerazi se zgjidhja e mundshme do të respektojë identitetet dhe dinjitetet e palëve dhe nuk do të kryhet me ndryshim të Kushtetutës. “Besoj se tashmë ne e dimë absolutisht se çfarë është e mundur, se çfarë është e lejueshme dhe deri ku duhet të shkojmë, shtoi Zaev. Ai pranoi se ekzistonin struktura radikale në të dy vendet, por shprehu besim se në të ardhmen do të punohet për ndërtimin e miqësisë dypalëshe.
Shqiptarët vendas mbështesin negocjatat
Partitë shqiptare të Maqedonisë kanë përshëndetur ndërkohë qëndrimin e Qeverisë për emrin me përcaktues gjeografik dhe riemërimet. Sipas BDI, këto vendime janë në kuadër të implementimit të masave të dakorduara mes dy Qeverive për krijimin e mirëbesimit dhe ambientit të përshtatshëm për mbylljen e kontestit. “Ne jemi pa emër. Kemi një emër të përkohshëm, Ish Republika Jugosllave. Praktikisht tani ne po përpiqemi që të marrim emrin që na takon, me këto negociata, me këto takime, me këto marrëveshje që bëhen”, tha kreu i BDI, Ali Ahmeti. Kreu i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela pas takimit me ambasadorin Zhbogar tha se mirëpret riemërimin e autostradës dhe aeroportit si përpjekje për të krijuar mirëbesim mes dy shteteve. Megjithatë Sela tha se është kundër një emri i cili nuk do të përkthehej edhe në gjuhën shqipe. “Për Lëvizjen Besa është i pranueshëm një emër me atribut gjeografik, por që të krijonte një identitet të përbashkët shtetëror, i cili do të ishte inkluziv për të gjitha etnitë në vend. Gjithsesi përshëndesin vendimin për të ndryshuar emrat e aeroportit dhe autostradës, si shenjë e vullnetit të mirë për të gjetur kompromisin”, tha Sela.