Maskat e zeza kërcënojnë me jetë veprimtarin shqiptar nga Kumanova
Veprimtari i njohur nga Kumanova, Idriza Sinani është kërcënuar me jetë nga disa persona të maskuar të cilët disa herë e kanë rrethuar shtëpinë e tij në orët e hershme të mëngjezit, njofton agjencina e lajmeve INA.
Katër herë me radhë dy persona me maska dhe e uniforma të zeza janë futur në oborrin e shtëpisë së tij, në momentet kur Sinani nuk ka qenë në shtëpi.
“Njëri ka bë roje, kurse tjetri është futur në oborr, ku ka bë fotografime dhe incizime . Dy rastet e para kanë ndodhur në muajin prill të vitit të kaluar, kur unë kërkoja që të mos mbahen zgjedhje pa u krijuar kushtet. Rasti i tretë ka ndodhur në dhjetor para zgjedhjeve, kurse rasti i fundit në janar të këtij viti”, thotë Sinani për Agjencinë e lajmeve INA.
Ai tregon se njëherë, të njëjtit kanë kontaktuar me gruan e tij në gjuhën shqipe.
“Gruaja i ka pyetur se cfarë po kërkoni. Ata i kanë thënë se nuk kanë punë me gra dhe po kërkojnë të zotin e shpisë”, tregon Sinani, i cili është edhe drejtues Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IGFM) në Maqedoni.
Sinani thotë se rastin në fjalë e ka paraqitur edhe në polici. Ai thotë se nuk frikohet nga këto provokime, por është i brengosur sepse ia kanë shqetësuar familjen. “Bashkëshortja ime është nën stres të madh dhe nuk po mund të stabilizohet”, thotë Sinani.(INA)