Ndërsa bashkëlojtarët janë shpërndarë në vendpushimet luksoze të globit, Mërgim Mavraj (30 vjeç) ka vendosur të bëjë krejt ndryshe me pushimet e tij: të ndihmojë të varfrit. Në një intervistë për gjermanen “Bild”, qendërmbrojtësi i kombëtares kuqezi tregon anën humane si njeri.
Ju i keni shpenzuar ditët e para juaj të pushimeve në Tiranë, në Shqipëri. Na sqaroni paksa, çfarë bëtë atje?
Unë kam dy vite që angazhohem në fushata bamirësie, duke ndihmuar nevojtarët e çdo lloji. Ne u japim fëmijëve një edukim të shëndoshë, tregojmë kujdes e përkrahje për të moshuarit e të sëmurët, i ndihmojmë edhe me shtëpi.
Diçka e pazakontë për një futbollist, por cili është motivimi juaj?
Unë jam duke e bërë këtë, sepse dua të ndihmoj. Kjo ka qenë gjithmonë në zemrën time. Madje, edhe atëherë, kur isha një fëmijë i vogël, kur shkoja në Shqipëri për pushime, ua jepja paratë që kisha nëpër xhepa lypësve në rrugë. Sot e shoh veten më shumë në këtë mision.
Çfarë do të thotë kjo?
Më lejoni t’ju jap një shembull të thjeshtë: Unë mund të blej në Gjermani një Rolex, por preferoj më mirë të ndërtoj një shtëpi të thjeshtë në Shqipëri për një familje me shtatë anëtarë. Kam privilegjin ta bëjë këtë, sepse fitoj shumë para me futbollin. Përveç kësaj, kisha mundësinë të njihja shumë njerëz të rëndësishëm dhe me influencë. Unë dua të shfrytëzoj këtë rrjet, ta përdor siç duhet dhe të bëj gjëra të mira në jetë.”
Si është situata lokale atje?
Kjo më bën shumë të trishtuar dhe të habitur. Jemi në vitin 2017, ndaj jam i habitur ende se si është e mundur. Shoh fëmijë të sëmurë që flenë në beton të zhveshur dhe jetojnë në kushte higjienike katastrofike. Në Gjermani kjo do të ishte e paimagjinueshme.
Si do ta shpenzoni pjesën tjetër të pushimeve?
Së pari, disa ditë do të jem në shtëpinë time, pranë Frankfurtit. Pastaj do të fluturoj për në kombëtare. Më vonë do të shkoj me nënën time në Kosovë.











