Problemi shumëvjeçar me lopët që lëvizin pa kontroll nëpër Kriva Pallankë ka nxitur përplasje të reja politike. Këshilltarët komunalë të VMRO-DPMNE-së kërkojnë mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal, ku do të paraqesin një plan konkret veprimi.
Deputeti Emil Spasovski akuzoi kryetarin e komunës, Sashko Mitovski, se po shmang përgjegjësinë dhe po ia kalon atë institucioneve të tjera.
Sipas Spasovskit, komuna është përgjegjëse për largimin e bagëtive nga hapësirat publike dhe vendosjen e tyre në lokacione të përshtatshme, në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Nga mbi 1.000 lopë që raportohet se enden lirshëm, deri tani janë grumbulluar rreth 100 krerë bagëti.
Problemi vazhdon prej më shumë se një dekade. Shtabi komunal i krizës ka kërkuar nga Qeveria shpalljen e gjendjes së krizës për 30 ditë, me qëllim mobilizimin e burimeve shtesë dhe gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.










