Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se vendimi për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë është marrë me shumicën e votave në Qeveri.
Hajdari thotë se për këtë vendim është njoftuar nga shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi.“Me vendimin e sotëm janë marrë dy masa thelbësore: Kryesorja është që marrëdhëniet tregtare me Serbinë do të jenë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin ne fuqi… Masa e dytë ka të bëjë me certifikatat veterinare për produktet ushqimore dhe jo ushqimore me prejardhje shtazore në kufi”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Ajo ka përmendur një barrierë tregtare që Serbia u ka bërë verërave të Kosovës, ku të njëjtat kanë mundur të eksportohen në budrumet e Serbisë, por nuk kanë mundur të dalin në Serbi me shishe dhe etiketa “Made in Kosova”.Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19”, tha ai në Twitter.
Ndërkaq, ish- kryemistri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.










