Media turke “fajëson” Kurtin për ndërhyrje para finales me Kosovën

Fitorja historike e Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 ka bërë jehonë të madhe në mediat turke, konkretisht nga gjiganti mediatik NTV, i cili po ndjek me vëmendje rivalin e radhës së kombëtares turke.

Turqia do të përballet të martën me Kosovën në finalen e madhe të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Sipas raportimit të NTV, vëmendje e veçantë i është kushtuar rolit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të cilin thuhet se ka “ndërhyrë drejtpërdrejt” për të motivuar kombëtaren para ndeshjes vendimtare.

Në artikull theksohet se në Kosovë është krijuar një atmosferë e jashtëzakonshme mobilizimi, ndërsa përmendet edhe premtimi i Kurtit për një shpërblim prej 1 milion eurosh në rast të fitores dhe kualifikimit historik në Botëror.

Kujtojmë se Kosova arriti një fitore historike ndaj Sllovakisë në një duel me shumë kthesa.

Ndonëse Sllovakia kaloi e para në epërsi, Veldin Hoxha barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 21-të. Menjëherë me fillimin e pjesës së dytë, saktësisht në minutën e 47-të, Fisnik Asllani kaloi Kosovën në avantazh. Dominimi vazhdoi kur Florent Muslija në minutën e 60-të dhe Kreshnik Hajrizi në minutën e 72-të e çuan rezultatin në 4-2, duke “shokuar” vendasit.

Edhe pse Sllovakia ngushtoi shifrat në 4-3 gjatë kohës shtesë, Kosova arriti ta ruajë epërsinë deri në sekondat e fundit.

Nga ana tjetër, Turqia siguroi biletën për në finale pasi mposhti Rumaninë me rezultat minimal 1-0.

Ndeshja vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet më 31 mars në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

I gjithë vendi është në ethe, pasi kjo është mundësia më e afërt që Kosova ka pasur ndonjëherë për të siguruar një vend në mesin e më të mirëve të botës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu