Mediat italiane: Vila luksoze e presidentit Zelensky i jepet me qira ”rusëve”

Në mediat italiane, prej ditësh është përhapur një lajm që, në qoftë se verifikohet, do të përbënte një paradoks ose të paktën një autogol të pavullnetshëm për imazhin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Familja Zelensky, madje formalisht bashkëshortja e tij Olena, prej vitesh kanë në pronësi një vilë të bukur në Itali, në një nga zonat turistike e më luksoze të Italisë, Forte Dei Marmi.

Një vilë e blerë rreth 4 milionë euro, pothuajse e pabanuar nga pronarë të saj që kur ish-aktori i njohur ukrainas komik u shndërrua në kreun e shtetit dhe më pas në liderin e një vendi nën trysninë e forcave ruse, që kanë pushtuar një pjesë të vendit dhe ku dyluftimet janë pjesë e përditshmërisë qysh nga shkurti i këtij viti.

Për këtë arsye, familja presidenciale e jep godinën me qira, sigurisht të shtrenjtë, dhe për gjithçka merret një shoqëri imobiliare me bazë në Qipro. Shifrat në pikun e verës shkojnë edhe në 50-70 mijë euro në muaj. Por ja që kontrata e munguar e një familje koreane vuri kompaninë në pozicionin e vështirë për të siguruar qiranë, dhe lajmi i mirë erdhi nga një çift me rezidencë në Londër dhe pasaportë zvicerane.

Gjithçka mirë, po mos të ishte që qiraxhinjtë e pasur të vilës së familjes Zelensky me shumë mundësi janë rusë.

Dëshmitë janë të shumta, nga komshinjtë që kanë dëgjuar njerëz që flasin rusisht deri tek selfie i një gruaje pikërisht te vila, me shkrimin ironik, “Si ka mundësi? Një banore ruse në shtëpinë e presidentit ukrainas?

Material i mjaftueshëm për të vënë në siklet presidentin ukrainas, që pak javë më parë ftonte autoritetet italianë të mos i jepnin viza turistëve rusë, ndërkohë që rusët i kanë hyrë në shtëpinë e tij private.

Kompania që menaxhon pronën justifikohet duke thënë se ata kanë respektuar gjithmonë udhëzimin nga familja Zelensky që të mos pranojë në asnjë mënyrë shtetas rusë, madje edhe ukrainas në vilë, dhe se qiraxhinjtë janë nënshtetas zviceran që mund të kenë ftuar miq rusë, por tashmë dëmi i imazhit mbetet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu