Mediat maqedonase i kanë dhënë hapësirë reagimeve nga Shqipëria në lidhje me qendrimin e Presidentit Ivanov ku tha se pranimi i platformës së partive shqiptare në Maqedoni përbënte vepër penale.
I kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve MakFax, Emirjon Senja, kryeredaktori i portalit Albeu.com theksoi se platforma në fjalë nuk u konceptua në Tiranë, por në Shkup nga vetë partitë shqiptare atje.
“Roli i vetëm kryeministrit Rama ishte ai i negociatorit mes liderëve të partive shqiptare për t’i ulur në një tavolinë negociatash. Të drejtosh gishtin nga z.Rama apo qeveria shqiptare duke i fajësuar ata se po ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Maqedonisë është një sjellje tipike ballkanase. Kërkesat që kanë parashtruar partitë shqiptare janë tejet legjitime duke marrë parasysh faktin se ata janë etni shtetformuese. Kriminalizimi i kërkesave të tilla është një hap i guximshëm, sidomos në Ballkan”., – tha Senja për Agjencinë e Lajmeve MakFax.
Në një prononcim për të njëjtën agjenci, Redi Prifti, gazetari i ABC News, thekson faktin se shqiptarët janë etni shtetformuese në Maqedoni dhe përbëjnë më shumë se 25 për qind të popullsisë aty.
“Para se të ndërmerte atë hap, Ivanov duhej që të konsultohej me partitë shqiptare pasi kemi të bëjmë me një çështje më të madhe se sa ajo e bërjes së një qeverie”., – tha ai.
Mediat maqedonase janë fokusuar ditët e fundit tek kriza politike që doli më fortë në pah pas refuzimit të Presidentit Ivanov për t’i dhënë kreut të opozitës Zoran Zaev mandatin e formimit të qeverisë duke akuzuar ndërkohë Shqipërinë se po ndërhynte në punët e brendshme të Maqedonisë nëpërmjet Platformës Shqiptare. /Albeu.com/