Për shkak të ankesave të shumta të cilat kanë arritur nga ana e qytetarëve për keqpërdorim politik të fëmijëve para zgjedhjeve lokale pothuajse nga të gjitha partitë politike, Ambasada e parë e fëmijëve në botë Megjashi përsëri i ka thirrur partitë politike t’i kursejnë fëmijët nga çfarëdo përfshirje në fushatat politike dhe marketingun politik.
“Si qytetar të barabartë të këtij shteti fëmijët kanë të drejtë të informohen se çka ndodh në shtet, për arsye se kjo çështje i prek drejtpërsëdrejti ata dhe ndoshta më shumë se të ne të rriturit, sepse ardhmëria e vendit u mbetet atyre. Por, marrja e fëmijëve në tubime të tilla, pjesëmarrja e tyre si dekor në ngjarje me sfond partiak dhe agjendë është keqpërdorim politik i fëmijëve për qëllime partiake. Mos lejoni që fëmijët të jenë mjet për manipulim.
Përveç kësaj, marrja e fëmijëve në mitingje partiake mund të jetë përvojë traumatike për ato, sidomos për shkak të folklorit të zakonshëm: mbledhje në turma, piskama, prania e policëve të armatosur, papritmas një numër i madh i njerëzve të panjohur, gjuha e urrejtjes, ofendime, përbuzje, nxitje të jotolerancës…
Për këtë arsye kërkojmë nga partitë politike, kandidatët për këshilltarë dhe kryetar komunash në zgjedhjet lokale, prindër, kujdestarë, t’i respektojnë ligjet dhe Konventën për të drejtat e fëmijëve.
Edhe njëherë të rikujtojmë se Ligji për mbrojtjen e fëmijëve neni 12 paragrafi (4) ndalohet keqpërdorimi i fëmijëve për organizim dhe veprim politik ose fetar.”- theksojnë nga Megjashi
Në vitin 1991 Kuvendi i Republikës të Maqedonisë e solli Deklaratën për mbrojtjen e fëmijës nga keqpërdorimi dhe manipulimi politik. Në të njëjtën thuhet se: Ndalohet çdo lloj detyrimi dhe organizimi të fëmijëve si instrument për presion politik, keqpërdorim dhe ekspozim të sigurisë fizike dhe shëndetit të tyre.
“Fëmijët janë popull i veçantë. Fëmijët nuk janë udhëheqës kombëtar dhe fetar. Ata janë popull i cili asnjëherë nuk kanë kryer revolucion apo kundërrevolucion, as nuk kanë shkaktuar luftë. Fëmijët nuk janë as çështje klasore as nacionale: fëmijët janë çështje mbi të gjitha çështjet. Ata janë popull i cili vuan më së shumti në përleshjet ushtarake dhe tragjeditë njerëzore. FËMIJËT JANË VETËM FËMIJË.”- thuhet në reagimin e ambasadës së parë të fëmijëve në Botë Megjashi./InfoShqip.com










