Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, është shprehur se Gjermania nuk mund t’i japë azil kujtdo që mbërrin aty, vetëm sepse është vend që ka mundësi për punësim. “Ankthi i ekonomisë nuk është arsye për të kërkuar azil”, ka thënë Merkel. Sipas saj, vendet e Ballkanit duhet të bashkohen në Bashkimin Europian.
“Vendet e Ballkanit duhet të bashkohen në BE, nuk ka persekutim politik. Askush nuk duhet të krijojë shpresa të kota, në të kundërt nuk mund të ndihmohen ata që kanë më shumë nevojë”, nënvizon më tej Merkel.
Gjithashtu, ajo nuk harroi të përmendte edhe zgjerimin e listës së vendeve të sigurta të origjinës, për të mos nxitur azilkërkues nga vendet e Ballkanit.
Prej kohësh është hapur një debat në Gjermani, për të cilësuar si vende të sigurta shtetet ballkanike, si Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Shqipëria.
Angela Merkel, gjatë intervistës, theksoi se prioriteti i Gjermanisë për momentin është që të strehojë emigrantët që vazhdojnë të hyjnë në vend. “Gjermania, tha Merkel, kërkon nga BE-ja një debat për të qartësuar të drejtat e azilit”.
Kancelarja kujtoi se qindra mijë refugjatë kanë arritur në Gjermani që prej fillimit të vitit dhe i kanë detyruar autoritetet të përballen me një sfidë të madhe, pasi vendi nuk ishte ende gati për pritjen e një fluksi të tillë.
Kancelarja tha se ka folur me presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Junker, për nevojën që Bashkimi Europian të zhvillojë një politikë të përbashkët për azilkërkuesit.
Zonja e hekurt tha gjithashtu se ka ndërmend që ta trajtojë çështjen në mënyrë më të detajuar në të ardhmen me Presidentin francez, Fransua Holonde. Më tej, Kancelarja shtoi se çështja e azilit mund të bëhet një projekt i madh europian, në të cilin do të shikohet nëse BE-ja do të mund të marrë një veprim konkret.









