Merkos i zhvillohen 6 procese gjyqësore, 5 në departamentin Penal dhe 1 në atë civil

Në bazë të dhënave që Alsat ka siguruar nga Gjykata Themelore e Strugës, kryetari i Komunës Ramiz Merko, aktualisht është i akuzuar në 6 procese gjyqësore, 5 prej të cilave në Sektorin Penal, ndërsa 1 në atë civil.

Në katër lëndë Merko gjykohet për veprën penale “Kryerje të pandërgjegjshme të detyrës” sipas nenit 353 dhe 353v të Kodit Penal. Tre prej tyre janë në fazë të diskutimeve, të cilat duhet të mbahen më 19 qershor dhe 7 korrik, ndërsa njëra është në fazë të publikimit të vendimit gjyqësor pasi ka mbaruar procesi gjyqësor. Lëndët kanë të bëjnë me emërimin e drejtorëve nëpër shkolla në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë për më 16 shtator Merko duhet të paraqitet në gjykatë për lëndën tjetër ku është i akuzuar për vendosjen e një pllake përkujtimore në hyrje të Strugës me çka ka shkaktuar urrejtje etnike mes banorëve të Strugës dhe me këtë, sipas Prokurorisë ka bërë shkelje të nenit 27 të Ligjit për Përmendore Memoriale dhe Shënimet Përkujtimore.

Merko gjithashtu është palë e paditur edhe në Departamentin Civil të Gjykatës së Strugës, ku shefi i Sektorit të urbanizmit në Komunë Resul Hani e ka paditur për shqetësim në vendin e punës. Lënda është në fazën e përgatitjes dhe miratimit të vendimit.

Pasi më 20 qershor të vitit 2023 SHBA e vendosi në Listë të Zezë Ramiz Merkon për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm, institucionet filluan të reagojnë. Gjatë një kontrolli të posaçëm në organin e akuzës në Strugë u konstatua se Merko dyshohej për të paktën 30 vepra penale, gjysma e të cilave ishin vjetruar për shkak të mosveprimit në kohë të institucioneve. Antikorrupsioni, alarmoi se Merko ndër vite ka qenë i mbrojtur nga pothuajse të gjitha institucionet shtetërore, duke drejtuar gishtin nga Këshilli Gjyqësor, Gjykata, Prokuroria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu