Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do përfundoj vizitën në Greqi pas 6 ditësh, derisa pritet të mbajë mbledhje të Qeverisë nga ora 15:00.
Këtë e bëri të ditur Zyra e Kryeministrit përmes njoftimit për media, derisa nuk u saktësua se çfarë do diskutohet në mbledhjen e kësaj Qeverie.
Kurti do kthehet pas 6 ditësh vizitë në Greqi, ku mori shumë kritika pasi mijëra qytetarë në komunën e Deçanit janë helmuar, dhe janë duke kërkuar vazhdimisht trajtim në qendrat mjekësore.
Kryeministri Kurti reagoi për këtë ngjarje gati dy ditë pas, derisa tha se me mendje qëndronte me qytetarët e kësaj komune. Për këtë ai mori kritika të shumta nga opozita, që e cilësuan si paaftësi e papërgjegjësi të Kurtit për të qenë afër njerëzve në nevojë, derisa thanë se po kalon kohë të gjatë e në vende luksoze në Greqi.
Sot zëdhënësi i kësaj Qeverie arsyetoi mungesën e Kurtit, duke thënë se po merr pjesë në konferenca të rëndësishme ku ai ishte pjesë e panelit të diskutimit.
“Ai është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Kurti ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.
Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI”, ka njoftuar sot zëdhënësi i Qeverisë.









