Ish-deputeti dhe ish-sekretari i Qeverisë kërkoi lirimin e tij, përmes një deklarate emocionesh.
“Mendoj se të gjitha argumentet që i kemi theksuar unë dhe mbrojtja ime, janë bazë reale që të sillni vendim të vetëm dhe të drejtë për lirimin tim nga akuza”, theksoi Zekiris, që akuzohet për keqpërdorim detyre.
Ai para trupit gjykues theksoi se ka përjetuar momente të vështira, pasi vëllai i tij ka ndërruar jetë, ndërsa bashkëshortja e tij është diagnostikuar me sëmundje të rëndë.
Si rrjedhojë Zekiri tha pas akuzës, për 593 ditë ka qenë i stigmatizuar në opinion, ndërsa nuk ka pasur mundësi që të realizojë të ardhura për kujdesin ndaj familjes.
“Me aktvendimin lirues, vlerësoj se gjykata do t’i jep fund agonisë dhe vuajtjeve të mija, por edhe të anëtarëve të familjes sime, të cilët 593 ditë jetojnë jetë nën hije të rëndë, si dëm kolateral i këtij procesi të akuzës. Në fillim të vitit, papritmas ndërroi jetë vëllai im më i ri, i cili prapa tij la 3 fëmijë të mitur, ndërsa më pas bashkëshortes time, ashtu siç është dokumentuar në gjykatë, u diagnostikua me sëmundje të rëndë. Mjekimi i saj zgjat tashmë 9 muaj, ende nuk ka përfunduar dhe nuk e dimë se si do të përfundojë. 593 ditë pasi jam stigmatizuar në opinion, nuk kam pasur mundësi të realizoj të ardhura për kujdes dhe ndihmë ndaj 4 fëmijëve. Tre të mijtë dhe një nga martesa e kaluar e bashkëshortes, që jeton me ne. Në këtë periudhë, të gjitha detyrimet materiale bien në barrën e prindërve të bashkëshortes, që nga diaspora kanë ardhur në Shkup për ta marrë kujdesin e plotë për ne”, tha mes tjerash Zekiri.
Prokuroria e akuzon Zekirin se gjatë periudhës nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022 në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani në vlerë totale prej një milionë euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se marrëveshja paraprake prej 795.000 euro.