Messi dyshon se do të luajë në Botërorin e vitit 2026

Lionel Messi është në dyshim nëse do të vazhdojë të luajë për Përfaqësuesen e Argjentinës deri në Kupën e Botës 2026. Por sulmuesi është i sigurt për një gjë- dëshiron që Lionel Scaloni të qëndrojë si trajner deri atëherë, pavarësisht vendimit të tij.

35-vjeçari Messi udhëhoqi Argjentinën drejt titullit në Botërorin e Katarit në muajin dhjetor dhe nuk ishte plotësisht i sigurt nëse udhëtimi i tij i pestë në Kupën e Botës do të ishte i fundit. Edicioni i ardhshëm i turneut më të madh të futbollit do të mbahet në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur Messi të jetë 39 vjeç. Messi i tha gazetës “Ole” në një intervistë të botuar të premten se ai kishte thënë rregullisht se mosha do ta bënte të vështirë të luante një Botëror tjetër pas atij në Katar.

“Më pëlqen të luaj futboll, e dua atë që bëj. Dhe derisa ndihem mirë, ndihem në formë dhe vazhdoj ta shijoj atë, do ta bëj. Por duket se është shumë deri në Botërorin e ardhshëm”, tha Messi. “Duhet të shoh se ku shkon karriera ime, çfarë do të bëj. Kjo varet nga shumë gjëra”.

Sa i takon të ardhmes së afërt, superylli sugjeroi se dëshiron të luajë në Copa America të vitit të ardhshëm në SHBA, për ta ndihmuar Argjentinën të mbrojë titullin.

“Do të qëndroj edhe pak, duhet ta shijoj këtë”, insistoi Messi.

Scaloni është duke negociuar rinovimin e kontratës me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Argjentinës dhe Messi mendon se trajneri duhet të mbetet në detyrë dhe ta udhëheqë ekipin në Botërorin e vitit 2026.

“Scaloni është shumë i rëndësishëm për Përfaqësuesen e Argjentinës dhe këtë e dinë të gjithë”, u shpreh Messi. “Nëse ai vazhdon me këtë proces dhe do të jetë në krye të ekipit për Botërorin e ardhshëm, atëherë do të ishte diçka fantastike”.

I pyetur se si ishte kthimi në klubin e tij, Paris Saint-Germain, pasi Argjentina mundi Francën me penallti për të fituar Kupën e Botës, Messi tha se nuk kishte diskutime të thella për këtë finale me shokun e skuadrës, sulmuesin francez Kylian Mbappe.

“Sinqerisht ai nuk dëshiron të flasë, por as unë nuk dua të sjell në qendër të vëmendjes temën e finales”, tha Messi, duke kujtuar përvojën e hidhur pas humbjes në finalen e Kupës së Botës “Brazili 2014” nga Përfaqësuesja e Gjermanisë.

“Unë isha në lëkurën e tij, pasi e humba një finale të kupës së botës dhe nuk doja të flisja për të. E vërteta është se nuk kam asnjë problem me Kylianin, përkundrazi kemi raporte shumë të mira”.

Messi do të luajë për Argjentinën në ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në Buenos Aires në muajin mars, për të festuar me tifozët argjentinas titullin e tretë në Kampionate Botërore.

“Jam i bindur se do të jetë një festë e vërtetë dhe me padurim po i pres ato ndeshje”, tha Messi.

35-vjeçari prej vitit 2021 është pjesë e Paris Saint-Germainit, ndërsa nuk dha ndonjë informatë në lidhje me rinovimin e kontratës me klubin nga Franca, e cila i skadon në fund të këtij sezoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu