Meta dekreton Sandër Lleshajn ministër të Brendshëm

Vendimi për dekretim erdhi pas më shumë se dy javësh debate. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar Sandër Lleshajn ministër të Brendshëm. Dekretimi është bërë mbrëmë në limitet e fundit të afatit kohor, duke hedhur firmën e tij 3 orë para përfundimit të afatit.

Kreu i shtetit shpjegoi në një intervistë për Zona e Lirë se statusi i ushtarakut të Sandër Lleshajt ishte arsyeja kushtetuese që e detyronte atë mos firmoste dekretin.

Ai tha se se nëse propozimin për lirim të Sandër Lleshajt do t’ia kishin çuar që në fillim, dekretimi do të ishte bërë që herën e parë. “Dje kam gjetur shkresën zyrtare që bente propozimin për lirimin si gjeneral nga ministria e Mbrojtjes. Nëse do ma kishin sjellë që heren e parë do e kisha bërë. Dekretimi pa lirimin si gjeneral do të ishte shkelje e hapur kushtetuese. Për mua kjo ishte arsye kushtetuese”, u shpreh kreu i shtetit.

Vendimi për dekretim erdhi pas më shumë se dy javësh debate mes dy institucioneve, Kryeministrisë dhe Presidencës. Kjo ishte hera e dytë që emri i Sandër Lleshajt qëndronte në tavolinën e Metës për dekretim, pasi herën e parë e refuzoi.

Dekretimi i Sandër Lleshajt u paralajmërua edhe mesditën e sotme, pasi Presidenti pranoi dorëheqjen e gjeneral Sandër Lleshit si ushtarak aktiv. Pas kësaj procedurë, Sandër Lleshaj do të bëjë betimin në Parlament. Sandër Lleshaj u propozua ministër i brendshëm nga kryeministri Edi Rama në datën 27 tetor, pas dorëheqjes së papritur të Fatmir Xhafajt nga ky post.

Pas mosdekretimit nga ana e Presidentit, kryeministri Rama e emëroi Sandër Lleshajn zv/ministër, por me kompetencat e ministrit. Tani zyrtarisht, Sandër Lleshaj do të mbajë postin e ministrit të Brendshëm./oranews

FOTO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu