Meta kërkon lirimin nga paraburgimi, dorëzon kërkesë në Gjykatën e Posaçme

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkon zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar nga Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar, raporton A2 CNN. Kërkesa është dorëzuar një ditë më parë nga avokati i tij mbrojtës, në lidhje me verifikimin e kushteve dhe zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të butë.

Në kërkesë avokati argumenton se janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion dy mujor mbi çështjen.

Më 9 qershor, Prokuroria e Posaçme zgjat me 3 muaj hetimet për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ndërsa avokati i tij në një deklaratë për mediat tha se do e ankimojë këtë vendim, pasi sipas tij është në kundërshtim me ligjin.

Ish-Presidenti i Republikës dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë nën akuzë nga SPAK për disa vepra, si “korrupsionit pasiv”, kryer në bashkëpunim, “pastrimi i parave”, por edhe “fshehja e mosdeklarimi i pasurisë”.

Meta u arrestua më 21 tetor 2024 në hyrje të Tiranës, ndërsa po kthehej nga një vizitë në Kosovë; më pas u shoqërua drejt drejtorisë së Policisë dhe u vendos në bllokun e sigurisë. Videoja e momentit të arrestimit u bë virale për shkak se ish-presidenti tërhiqej me dhunë nga makina, për shkak se nuk kishte pranuar të dilte vullnetarisht.
Më 27 maj 2025, SPAK-i zyrtarizoi akuzat ndaj tij për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, duke përfshirë dosjen “CEZ‑DIA” dhe lobimin në SHBA për LSI‑në.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu