Meta: Shqiptarët, faktor stabiliteti në Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka deklaruar, se kjo Marrëveshje duhet të zbatohet në mënyrë të plotë që të afrojë Maqedoninë e Veriut drejt Bashkimit Evropian.

“Në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës për respektimin e saj, inkurajoj domosdoshmërinë e zbatimit të plotë dhe jetësimit integral, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto dy dekada kanë qenë jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj.

Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut.

Përshëndetje vëllazërore dhe krenar për bashkëkombasit tanë, për rolin dhe angazhimin e tyre aktiv, konstruktiv dhe të pazëvendësueshëm për sovranitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, tha Meta, transmeton TV21.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu