Mexhiti hedh poshtë akuzat e BDI-së se Qeveria nuk e respekton gjuhën shqipe

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti hedh poshtë akuzat e BDI-së opozitare se Qeveria po shkel Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, pasi sipas tyre, nuk përkthehen procesverbalet e Qeverisë. Sipas Mexhitit për dallim prej tani që të gjitha procesverbalet dhe dokumentet tjera të Qeverisë janë në dy gjuhë, Artan Grubi derisa ishte zëvendëskryeministër procesverbalet i nënshkruante vetëm në maqedonisht.

“E para, BDI po e sulmon vetveten. Nëse ndonjëherë ka pasur procesverbale në gjuhën maqedonase edhe kur i ka udhëhequr zëvendëskryeministri i kaluar dhe janë nënshkruar procesverbale në gjuhën maqedonase është pikërisht zëvendëskryeministri i kaluar i BDI-së. Ndërsa, tashmë si asnjëherë më parë të gjitha procesverbalet janë në gjuhë dhe kjo mund të shihet në ueb-sajtin e qeverisë”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.

“Argument plus, fatkeqësisht. Pikërisht ish funksionarë të BDI-së sot kanë procedura gjyqësore të ngritura nga Inspektorati i Gjuhëve për moszbatim të gjuhës shqipe. Pra, kjo vërteton se ato nuk e kanë pasur mendjen as te gjuha shqipe as te të drejtat e shqiptarëve”

Derisa BDI-ja insiston se Qeveria nuk po i publikon procesverbalet e mbledhjeve në shqip, koalicioni VLEN nëpërmjet një reagimi përgënjeshtron BDI-në duke publikuar dokumente të komunikimit ndërinstitucional.

Në qershor të këtij viti Alsat publikoi listën e funksionarëve, të cilët ndodhen në Gjykatë pasi janë paditur nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve për shkelje të gjuhës shqipe. Prej 50 funksionarëve, 13 janë shqiptarë. Mes tyre, ish ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, Avokati i Popullit në pension Naser Ziberi, i cili erdhi në këtë pozitë mjaft simbolike pasi dështoi të bëhej kryeministri i parë shqiptar.

Më tej, Ilir Demiri nga Aleanca për Shqiptarët, Faton Ahmeti, ish-drejtor i Fondit Pensional, ndërsa sot ushtron detyrën e sekretarit të përgjithshëm të BDI-së. Inspektorati nuk ka kursyer as funksionarë të tjerë shqiptarë: ndaj Bekim Maksutit, gjatë kohës që udhëhiqte Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim; Driton Nebiut, gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar; Rrahmetulla Kuqit, kur udhëhiqte me Bibliotekën Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit”; Izeir Memedit, që drejtonte Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale në Shkup; Jeton Akikut nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike; Musa Ziberit, kur udhëhiqte Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor – Tetovë dhe Sefedin Jonuzit, gjatë kohës kur ishte në krye të Agjencisë së Barnave./ Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu