Mexhiti: Qeveria është stabile, katër deputetë të Frontit Evropian do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se katër deputetët të Frontit Evropian do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare, raporton SHENJA.

“Qeveria është stabile. Edhe katër deputetë të Frontit Evropian do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare”, shkroi Mexhiti në Facebook.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Aleancës për Shqiptarët, duke theksuar se në këtë parti po zhvillohet një debat i fortë dhe se shumica e strukturave nuk pajtohen me vendimin e liderit Arben Taravari për t’u larguar nga Qeveria dhe për t’iu afruar sërish BDI-së dhe Frontit Evropian.
“Brenda ASH-së së Taravarit ka një debat të nxehtë ku pjesa dërmuese me një përqindje të lartë nuk pajtohen me liderin e tyre që të rikthehen në kthetrat e BDI-së dhe Frontit Evropian, por do të mbeten në qeveri,” deklaroi Mexhiti në një intervistë.
Ai e cilësoi vendimin e Taravarit si “të pashpjegueshëm” dhe “jo transparent”, duke aluduar se ai mund të jetë marrë nën presion apo shantazh dhe nuk përfaqëson vullnetin e anëtarësisë së ASH-së.
Në deklaratën e tij, Mexhiti përmendi edhe zëvendëskryeministrin për qeverisje të mirë, Arben Fetai, për të cilin tha se i duhet Qeverisë dhe shprehu shpresën që ai të qëndrojë në pozicionin e tij. “Ka treguar transparencë dhe kapacitet për të qeverisur,” shtoi ai.
Mexhiti, ka theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri nuk është i kushtëzuar me numrat e deputetëve, por me marrëveshjen politike që ka bërë koalicioni VLEN.
Mexhiti tha se të gjitha pozicionet që i takojnë VLEN-it në qeverisje do të mbeten aty, pavarësisht lëvizjeve eventuale në përbërjen parlamentare.
“Ajo që është e VLEN-it do të mbetet e VLEN-it. Kur e kemi formuar qeverinë nuk jemi bazuar te numrat, por për hisen e shqiptarëve. Pavarësisht sa deputetë të VLEN-it jemi, të gjitha pozicionet do mbesin të VLEN-it,” deklaroi Mexhiti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu