Mickoski beson se ka shumicë për zgjedhje të parakohshme, LSDM-ja përgënjeshtron

Shpërndarje të Kuvendit e shumta në muajin shkurt dhe zgjedhje të parakohshme në maj, janë afatet të cilat VMRO-DPMNE-ja është e bindur se do t’i vë në jetë për të realizuar qëllimin politik. Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski thotë se shumë deputetë të LSDM-së dhe BDI-së janë në mbështetje të idesë për zgjedhje të reja por nuk e thotë se cilët janë ata.

“Duke e pasur parasysh karakterin e BDI-së dhe LSDM-së, duke e parasysh Prokurorinë dhe gjyqësorin e kapur dhe metodat për të cilat janë të gatshëm t’i zbatojnë që t’i ruajnë kolltukët e tyre unë nuk do të përmendja emra por ajo që na jep guxim neve për zgjedhje të parakohshme është se qëndrimet e tyre do të jenë të njëjta deri në fund dhe nga fundi i muajit janar ose e shumta fillimi i muajit shkurt do të votojmë shpërndarje të Kuvendit, në mes të shkurtit formimin e qeverisë teknike dhe zgjedhje diku në mesin e dytë të muajit maj”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja mohon mundësinë që Mickoski mund të ketë mbështetje për të formuar një shumicë të re me të cilën do të mund të shpërndajë Kuvendin.

“Asgjë nuk ka ndryshuar te Mickoski. Ai e filloi vitin në të njëjtën mënyrë që e përfundoi dhe si e kaloi të gjithë vitin 2022. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në vitin 2024, Mickoskin e pret humbja e 7-të dhe e 8-të radhazi si kryetar i VMRO-DPMNE-së. Ankimet publike të Mickoskit, as gënjeshtrat e tij të sajuara për një shumicë të re, nuk mund t’i ndalin reformat apo përparimin e vendit”, thonë nga LSDM.

LSDM-ja synon që gjatë këtij viti, të arrijë të ndryshojë Kushtetutën dhe të vijojë me hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në, në fund të vitit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu