Mickoski: E Majta në koalicion me BDI-në

Kryeministri Hristijan Mickoski akuzon se partia politike e Majta ka nxjerrë kandidatë për kryetar komune në Tetovë, Gostivar dhe Strugë me qëllim që t’i përçajë votat kundër BDI-së dhe me këtë ta shpëtojë Ali Ahmetin nga disfata që e pret në tetor.

Thelbi i këtyre zgjedhjeve, siç tha Mickoski është mposhtja e BDI-së dhe heqja e saj nga skena politike.

“Qëllimi i tyre është i koordinuar me partinë Bashkimi Demokratik për Integrim që të vijë deri në përçarjen dhe shtresimin e votave kundër BDI-së në ato komuna, pasi BDI kupton se në ato komuna nuk mund të fitojë dhe kupton se do të jetë e mposhtur në këto zgjedhje, gjegjësisht do të ketë numër shumë të vogël, të parëndësishëm të kryetarëve të komunave dhe aleati i vetëm i cili për momentin përpiqet të hedhë gomë shpëtimi është pikërisht partia politike E Majta”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Nga BDI mohojnë bashkëpunimin me partinë e Dimitar Apasievit, ndërsa akuzojnë Mickoskin se po dëshiron të bëjë asimilim politik të shqiptarëve.

“Kurrfarë bashkëpunimi nuk mund të ketë mes BDI-së dhe Levicës, por e vërteta qëndron vetëm analizojeni, çdoherë VMRO-DPMNE-ja ka pasur kandidatë tani s’ka kandidatë. A e parashtroni pyetjen pse nuk ka kandidatë nga radhët e VMRO-së? Ndërsa zotëri Mickoski i ka kandidatët e tij, ai i ka imponuar kandidatët e tij në VLEN se kush do të del për kryetar komune në VLEN, a i ka përcaktuar se kush do të del kandidat i pavarur. Në mënyrë që të ndodh asimilimi politik i shqiptarëve e që ai të vazhdojë edhe më tutje me revizionizëm të të drejtave kolektive të shqiptarëve”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.

Ndaj deklaratës së Mickoskit kanë reaguar edhe nga dega e të Majtës në Gostivar, të cilët theksojnë se kandidatura e tyre nuk është për ta shpëtuar BDI-në, por për të ofruar alternativë të vërtetë, të pavarur nga elitat e vjetra të korruptuara./ Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu