Mickoski ftesë, Filipçe: Refuzoj takim liderësh me kriminelë

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e hodhi menjëherë poshtë mundësinë për të marrë pjesë në një takim liderësh të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, duke vlerësuar se ftesa është një alibi politike për zgjedhje të parakohshme.

“Nuk do të ketë takim me kriminelë”, deklaroi Filipçe, duke shtuar se LSDM-ja nuk do të jetë “mbulesë” për veprimet e pushtetit.

Në deklaratat e dhëna në një konferencë për shtyp, Filipçe pretendon se iniciativa për takim liderësh lidhet me një skenar ku fillimisht do të shkohej në zgjedhje, e më pas do të hapej hapësirë për marrëveshje dhe huamarrje financiare, përfshirë edhe plane të lidhura me pranimin e migrantëve kundrejt parave, për çka, siç tha ai, kanë shkruar edhe media britanike. Në këtë kontekst, ai këmbëngul se “qeveria teknike” duhet të mbetet si mekanizëm kontrolli para zgjedhjeve, duke paralajmëruar se do t’i shpjegojë më tej, sipas tij, abuzimet në gjyqësor.

Takimin liderësh e paralajmëroi Mickoski në një intervistë për TV “Alfa”, me mesazhin se në ditët në vijim do t’u dërgojë ftesa liderëve të partive dhe koalicioneve parlamentare. Sipas njoftimeve të tij, në takim do të diskutohej për një konsensus politik rreth ligjeve reformuese të lidhura me integrimin evropian, për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe për mundësinë e shfuqizimit të qeverisë teknike, por “vetëm me pëlqimin e të gjithë aktorëve politikë relevantë”.

Pas reagimit të LSDM-së, mbetet e paqartë nëse takimi do të mbahet fare. Disa media raportojnë se ftesat ende nuk janë dërguar dhe se gjasat për realizim po zvogëlohen, pasi partia më e madhe opozitare njoftoi publikisht se nuk do të ulet në tryezë nëse tema është shfuqizimi i qeverisë teknike./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu